Bajrami: Mashtrimi i Kurtit u vërtetua sot në Kuvend – fundi politik i tij ka nisur më 9 shkurt

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas seancës së sotme të Kuvendit ku Glauk Konjufca dështoi të votohej për kryeministër, duke e cilësuar procesin si “vërtetim të mashtrimit të madh” nga partia fituese e zgjedhjeve dhe nga Albin Kurti. Ajo theksoi se nuk ishte e pranishme në seancë për shkaqe shëndetësore, të cilat tha se shpreson t’i tejkalojë shpejt.

Bajrami u shpreh se dita e sotme dëshmoi atë që LDK-ja e ka thënë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit: se pretendimi i Kurtit për sigurimin e numrave për formimin e qeverisë ka qenë mashtrim.

“Sot u vërtetua mashtrimi i atij që prej shkurtit ka thënë se i ka numrat për të themeluar Qeverinë; të atij që i ka humbur Kosovës muaj e vite me keqqeverisje, korrupsion, masa ndëshkuese, varfërim dhe ikje të qytetarëve nga vendi,” tha ajo.

Deputetja e LDK-së akuzoi Kurtin për arrogancë politike, duke theksuar insistimin e tij për të votuar vetëm një emër për kryetare të Kuvendit, si dhe dështimin për të arritur një marrëveshje koalicioni me ndonjërën prej partive shqiptare për të shmangur zgjedhjet.

Ajo kritikoi edhe “humbjen e 15 ditëve të tjera” pas daljes së Glauk Konjufcës si mandatar, për të cilën tha se ishte e qartë se do të përfundonte me dështim dhe humbje kohe.

“Thënë troç, kjo kastë politike ia humbi Kosovës plot 5 vjet, por përfituan ata dhe rrethi i tyre nga keqpërdorimi i resurseve shtetërore, për çka një ditë do të japin përgjegjësi,” ka deklaruar ajo.

Bajrami ngriti një sërë akuzash ndaj qeverisë në largim, duke përmendur korrupsionin në energji, rritjen e çmimeve, mosrealizimin e asnjë projekti të rëndësishëm infrastrukturor, si dhe dobësimin e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Sipas saj, “fillimi i fundit politik të Albin Kurtit ka nisur më 9 shkurt”, ndërsa “vula e këtij fundi” do të vendoset në ditën e zgjedhjeve të reja.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…