Reshje të shumta shiu përfshijnë vendin sot, paralajmërohet edhe mundësi për përmbytje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.

“Duke u bazuar në të dhënat, modelet dhe vrojtimet e kushteve të përgjithshme hidrometeorologjike në vend dhe rajon, parashihet që gjatë datave 18–19/11/2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, ka paralajmëruar të hënën IHMK-ja.

Sipas paralajmërimit zonat më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe rrjedha të tjera me karakter malor.

Sasia e reshjeve në më shumë se 40 litra për metër katrorë në 24 orë rrezikon shkaktim të përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rrezik të rrëshqitjes së dheut e baltë.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në këtë njoftim të IHMK-së, ka bërë të ditur se i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të menaxhuar situatën në koordinim me institucionet relevante.

Kjo agjenci u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112.

Edhe Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë, mbajtje të distancës dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…