Gjasat minimale që seanca për mandatarin të thirret para të mërkurës

Lëvizja Vetëvendosje nuk po jep shenja as që ka marrëveshje me partitë tjera për t’ia votuar të mandatuarin për kryeministër e as se seancën do ta thërrasin para të mërkurës së 19 nëntorit, e cila është data e fundit për qeveri të re, ose zgjedhje të parakohshme.

Nga ish-blloku opozitar, Vetëvendosje nuk po gjen mbështetje as për themelimin e komisioneve të përhershme, për të cilat janë në vijë me qëndrimet e presidentes, Vjosa Osmani.

Sipas presidentes, Vjosa Osmani, nëse ekziston vullneti nga partitë politike, shumë shpejt mund të bëhet zgjidhje edhe për pagat për punëtorët e RTK-së edhe për miliona euro fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, por edhe për milionë të tjera që vijnë nga marrëveshja me Bankën Botërore.

Ajo insiston se themelimi i komisionit për buxhet dhe financa është rrugëdalja e vetme, iniciativë e saj por që ka hasur në refuzim dhe kritika.

“Nuk ka asnjë arsye që partitë politike të bllokojnë formimin e komisioneve. Kushdo që ju thotë të kundërtën, është duke ju gënjyer. Nuk ka asnjë komplikim për krijimin e institucioneve, të jeni të sigurt. Kushdo që thotë se është e pamundur, është duke ju gënjyer“, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente.

Përpos për nismën për komision, Osmani ka qenë optimiste edhe se seanca për votimin e Qeverisë do të thirrej para të mërkurës kur është data e fundit, por edhe në këtë pikë nuk dolën pritjet e saj.

“Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për 9 muaj i kemi pritur. Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente.

Seanca e jashtëzakonshme mund të thirret me 40 nënshkrime, fuqi të cilën e ka Lëvizja Vetëvendosje.

Se kur do të mbahet kjo seancë nuk treguan disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes me të cilët komunikuam gjatë ditës.

As kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në një deklarim për televizioni T7 nuk ka dhënë ditë të saktë, duke cilësuar diçka tjetër më urgjente sesa formimi i Qeverisë së re.

“Kemi ende dy ditë deri në seancën e kuvendit për mandatin e ardhshëm. Ajo që besoj se është urgjente për shtetin e Kosovës është formimi i komisioneve parlamentare. Janë katër komisione të përhershme, komisioni për buxhet, punësim dhe transfere, komisioni për integrimin evropian, komisioni për komunitete dhe kthim dhe komisioni për legjislacion. Tani që e kemi konstituuar kuvendin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e nëntë, është një gabim politik dhe një dëm financiar dhe social të mos vazhdojmë më tej në Kuvendin e Republikës, në të cilin rast formimi i komisioneve parlamentare është rruga e duhur përpara. Nuk ka çështje më urgjente se kjo, ndërsa sigurisht periudha 15-ditore është e vlefshme deri të mërkurën”, ka thënë Albin Kurti – Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se bllokimi 9 mujor i Kuvendit por edhe i shumë proceseve të tjera ka mundur të shmanget, dhe barrën kryesor të fajit sipas tyre e mbanë partia fituese e zgjedhjeve.

Në rast se të mërkurën Konjufca nuk i merr 61 vota, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, më së largu në javën e tretë të muajit dhjetor.

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…