Për vetëm 9 muaj janë 2.5 milionë euro të shpenzuara. Kjo është shuma e përgjithshme e shpenzuar e institucioneve qendrore, Ministrive, Kuvendit dhe Presidencës, për blerjen e veturave të reja zyrtare gjatë periudhës janar-shtator 2025.
Përpos veturave të reja njëashtu janë edhe miliona euro të tjera të shpenzuara për vetura me qira nga institucionet qendrore dhe lokale, shuma këto që janë barrë e rëndë për buxhetin e varfër të Kosovës.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët e ekonomisë kritikojnë Qeverinë në detyrë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, duke potencuar faktin se këto shpenzime milionëshe kanhë ndodhur kur Kosova është pa institucione qendrore dhe njëkohësisht paraqesin mungesë konsistence për retorikën antikorrupsion nga Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Shpenzime më të mëdha për blerjen e veturave gjatë këtij viti kanë bërë: Ministria e Financave dhe Ministria e Jashtme, raporton FrontOnline.
Drejtues të OJQ-së, Lëvizja FOL, kanë kritikuar Qeverinë “Kurti” lidhur me shpenzimet prej 2.5 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtuese e Lëvizjes FOL, e ka cilësuar këtë si një shpenzim të panevojshëm dhe tregues të prioriteteve të gabuara të ekzekutivit.
“Shpenzimin prej 2.5 milionë eurosh për vetura zyrtare nga Qeveria Kurti brenda 9 muajve, periudhë kjo në të cilën vendi është edhe pa institucione nga zgjedhjet e 9 shkurtit është një shpenzim i panevojshëm, sidomos në kontekstin aktual politik dhe ekonomik”, u shpreh ajo për FrontOnline.
Sipas Demolli-Nimanit, ky veprim bie ndesh me retorikën anti-korrupsion të Vetëvendosjes.
“Ky shpenzim tregon prioritete të gabuara dhe mungesë konsistence me retorikën anti-korrupsion, kur e dimë qasjen e LVV-së sa ishte në opozitë në raste të tilla. Në këtë periudhë jostabiliteti dhe mungese legjitimiteti të plotë, çdo shpenzim i madh duhet të shihet nëse është në përputhje me vendimet që mund të merr një qeveri në detyrë”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se këto mjete do të duhej të investoheshin në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Këto mjete financiare do të duhej të dedikoheshin në fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, sidomos sektorin e shëndetësisë ku çdo dite informohemi nga mediat për mungesa të shumta qoftë edhe të barnave nga lista esenciale”, deklaroi Demolli-Nimani
