Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, u mundua t’i arsyetojë 27.3 milionë euro harxhime që bëri Qeveria “Kurti 2” për 9 muaj ku thotë se aty përfshihen shpenzimet e të gjitha institucioneve publike, shkruan Gazeta KFVA.
Këto para që iu morën nga xhepi taksapaguesve, Kryeziu po thotë se kanë qenë të nevojshme për operim, duke i futur në këto shpenzime edhe ‘lëndët diegëse të shkollave’, ku sipas tij janë në atë çmim.’
“Kronika e mbëmshme e Klan Kosovës qëllimshëm ia faturon të gjitha shpenzimet “Qeverisë Kurti”, përkundër faktit se aty bëhet fjalë për shpenzimet e të gjitha institucioneve publike, ato lokale dhe qendrore: pra komunave, agjencive, qeverisë, kuvendit, presidencës etj. E them qëllimshëm sepse raporti, të cilit i referohet kronika, e qartëson se aty paraqiten shpenzimet e institucioneve qendrore dhe lokale të vendit.Për më tepër, këto nuk janë shpenzime luksi, siç synohet të paraqiten, por janë shpenzime të nevojshme për operimin e institucioneve kyçe të vendit, sikurse policia dhe mbrojtja. Gjithashtu, te kategoria e karburantit dhe lëndëve djegëse, përfshihen edhe lëndët djegëse për ngrohjen e shkollave.” tha Kryeziu.
Sipas KlanKosova në 9 muajt e 2025-ës, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij ia harxhuan buxhetit të Kosovës rreth 27.3 milionë euro.
Sipas një raporti të Ministrisë së Financave, gjatë kësaj periudhe, taksapaguesve u kushtuan 3.8 milionë euro shpenzime telefonike, 8.6 milionë për udhëtime zyrtare dhe 15 milionë për derivate.
Gjatë vitit 2024, kryeministri Albin Kurti dhe kabineti i tij shpenzuan 8.8 milionë euro./Kosova Free Voice Agency
