Trajneri i Sllovenisë: E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova

Selektori i Sllovenisë, Matjaz Kek ka folur para ndeshjes së sontme ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova ka kualitet, teksa kërkon ndihmën e tifozëve në stadium.

“Kjo ndeshje ka rol të madh pasi është fundi i kualifikimeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që në stadiumin e stërmbushur, të kemi përgjegjësi. E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova, por ne mendojmë për gjërat tona pozitive. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që i kemi. Uroj të kemi ndihmën e tifozëve. Këto janë ndeshje ku kërkohet karakter në fushë. Jam shumë i sigurt se do të jemi të mirë nesër”, ka deklaruar Kek të premten në konferencën për shtyp.

Më tutje, ai ka folur edhe për mungesën e Benjamin Seskos, i cili u lëndua fundjavën e kaluar në takimin ndaj Tottenhamit.

“Kam qenë i lumtur këtë javë pasi kemi pasur stërvitje të mirë dhe regjenerim të lojtarëve që kishin nevojë. Nuk kemi telashe të mëdha me lëndime dhe do ta kompensojmë mungesën e Seskos dhe të suspenduarit Çerin. Në kualifikime gjithmonë ka lëndime dhe kartonë, por për këtë kemi futbollistë të ftuar dhe do të mundohemi të bëjmë rotacione”, ka theksuar përzgjedhësi slloven.

Kek foli edhe për mungesën e golave të Sllovenisë në dy ndeshjet e fundit.

“Po shënojmë pak gola në krahasim me shanset që i krijojmë”, ka theksuar Kek, ndërsa nënvizoi se dinë mjaftueshëm për Kosovën që “është shumë e mirë në pasime” dhe se e ka planin për t’iu kundërvënë.

“Plani A, B dhe C janë për mediume. Për mua momenti më i rëndësishëm është që të reagosh mirë kur e ke dhe kur nuk e ke topin. Nëse e di se çfarë duhet të bësh në këto raste, ekipi është i suksesshëm. Por, gabimet ndodhin dhe është e rëndësishme se si reagon ndaj tyre”, përfundoi ai.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…