Sot do të mbahet njëra nga ndeshjet për kualifikim, që është ajo mes Kosovës e Sllovenisë.
Ndeshja është jetike për të dy ekipet sepse do të përcaktojë ose jo rrugën drejt Kupës së Botës 2026.
Për ndeshjen që do të fillojë nga 20:45 tashmë kanë ardhur paralajmërimet nga Federata e Futbollit të Sllovenisë, për tifozëritë e të dyja kombëtareve.
Federata e Futbollit të Sllovenisë ka përgatitur udhëzime të posaçme për tifozët e Kosovës që do ta bëjnë më të lehtë për të arritur në vendin e ndeshjes dhe të përmirësojnë përvojën e tifozëve.
Sipas tyre, dyert e stadiumit “Stozice” do të hapen në orën 18:45, ose dy orë para fillimit zyrtar të ndeshjes. Për të shmangur turmat, të gjithë tifozët janë të ftuar në një zonë të veçantë tifozësh në platformën përpara tribunës C midis orës 18:00 dhe 20:00, ku do të zhvillohet një program shoqërues.
Ata kanë kërkuar nga të gjithë vizitorëve të mbërrijnë në vendngjarje në kohë (të jenë në hyrjen e shënuar në biletë jo më vonë se ora 19:00) dhe të përdorin një nga vendet e parkimit të rekomanduara.
Megjithatë, përveç kësaj, Federata Sllovene ka bërë një paralajmërim edhe për tifozët vendas, të cilët janë paraparë të zënë të gjitha pjesët tjera të stadiumit.
“Duke pasur parasysh që stadiumi Stozice do të jetë i rezervuar plotësisht për ndeshjen midis Sllovenisë dhe Kosovës, u bëjmë thirrje të gjithë tifozëve të ekipit kombëtar slloven të futbollit të pajisen me fanella (të bardha), shalle dhe flamuj (pa shkopinj, sigurisht), dhe kështu të tregojnë mbështetjen tuaj për djemtë në fushë. Nëse ende nuk i keni “pajisjet e detyrueshme të tifozëve”, ju rekomandojmë të vizitoni dyqanin zyrtar 11TS në Lubjanë ose zonën e tifozëve para ndeshjes”, thuhet fillimisht në njoftim.
“Federata e Futbollit të Sllovenisë u bën thirrje të gjithë vizitorëve të respektojnë rregullat e sjelljes dhe të promovojnë sportivitetin në tribuna. Për arsye sigurie dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kompetente, hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me simbolet e Sllovenisë dhe të ekipit kombëtar slloven, përveç në sektorin e caktuar posaçërisht për mysafirë D”.
“Tifozëve që vijnë në stadium me simbole tifozësh të vendeve të tjera do t’u mohohet hyrja në sektorët A, B dhe C. Në këtë rast, ata do të jenë në gjendje të dorëzojnë sendet e tyre të tifozëve në një depo të rregulluar posaçërisht në hyrje të stadiumit dhe të fillojnë përsëri procesin e hyrjes”.
“U kërkojmë të gjithë tifozëve të kuptojnë dhe respektojnë udhëzimet e rojeve të stadiumit dhe organizatorit, pasi duam të sigurojmë një atmosferë sportive të sigurt dhe të këndshme për të gjithë pjesëmarrësit”, mbyllet njoftimi.
