Mbi 3 mijë pako të votuesve jashtë vendit refuzohen nga KQZ për mungesë dokumentacioni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit.

Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako me fletëvotime brenda Kosovës.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, njoftoi KQZ.

“Gjatë datave 11–12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr 13,084 pako të votuesve që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar nga jashtë për këto komuna është 29,752”.

KQZ njofton se për shkak të distancës së madhe, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas KQZ-së, këto do të vlerësohen dhe numërohen menjëherë sapo të mbërrijnë.

Paralelisht me këtë proces, KQZ ka numëruar të premten rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht, si dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, përfshirë fletëvotimet e mundësuara përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.

Rezultatet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar tashmë në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin e veçantë “Rezultatet QNR”.

Në të njëjtën platformë do të publikohen edhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve me postë jashtë Kosovës, sapo të përfundojë procesi.

KQZ ka theksuar se të gjitha procedurat po zhvillohen me transparencë të plotë dhe se përditësimet e tjera do të jepen në vazhdimësi, deri në përfundimin e numërimit përfundimtar të votave.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…