• Sat. Nov 15th, 2025

Glauk Konjufca edhe 4 ditë afat për të propozuar qeverinë e re

Nov 15, 2025

Mandatarit Glauk Konjufca i kanë mbetur edhe katër ditë afat që t’ia propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, konkretisht deri më 19 nëntor, për të parë nëse i ka votat e nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.

Nominimi i Konjufcës për kryeministër nga Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kanë bërë publik qëndrimin se nuk do ta mbështesin një qeveri të udhëhequr nga Konjufca dhe kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Konjufca nuk i ka numrat dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Glauk Konjufcën, që e ka pranuar mandatin e formimit të qeverisë.

Abdixhiku tha se po të kishte dinjitet Konjufca, nuk do ta pranonte mandatin fare.

“Ky është kalkulim për datën e zgjedhjeve. Po të kishte Konjufca minimalisht dinjitet, për të cilin unë kam besuar se e ka, nuk do ta merrte mandatin fare. Ose po ta merrte mandatin sa për të kënaqur organet e partisë, dhe të nesërmen të dilte të deklaronte se s’ka shumicë, rrjedhimisht Presidente e nderur na cakto datën e zgjedhjeve sepse s’kam ndërmend t’i humb Kosovës 15 ditë kohë”, tha kreu i LDK-së.

Ndërkaq kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka bërë publike se është kontaktuar nga zyra e Konjufcës për takim por nuk ka pranuar, meqë sipas tij, nuk ka pasur ndonjë propozim serioz.

“Po lutemi për zgjedhje te reja sa me shpejt. Kanë kërkuar zotri Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘Qitma votën si vëlla se e du Kosovën’, Kosovën nuk është që e do vetëm një të gjithë e duam dikush më shumë ndoshta”, ka deklaruar Haradinaj.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 10 nëntor ka deklaruar se nuk është e mençur të shkohet në zgjedhje në dhjetor.

“Mandati i është dhënë Glauk Konjufcës nga VV. Ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë: nuk mendojmë se është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor edhe pastaj sërish në prill”, tha Kurti.

Ai theksoi se deputetët duhet të vendosin mes dy opsioneve të mundshme: sipas tij, ose një qeveri Kurti që do të zgjasë deri në dhjetor, ose një qeveri nën udhëheqjen e Konjufcës që do të zgjasë deri në prill.

“Kështu që deputetët janë para përzgjedhjes: ose Kurti 2.5 deri në dhjetor, ose Konjufca 1 deri në prill. Pa njërën prej tyre nuk është e mundur. Duhet të përcaktohen për njërën”, u shpreh ai.