Komuna e Prishtinës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, lidhur me mos alokimin e 35 milionë eurove.
Sipas dokumentit të siguruar nga Reporteri.net. Përveç Muratit, kallëzimi penal është ngritur Arton Ahmetit si Sekretar në MFPT, Salvador Elmazit si Drejtor i Departamentit të Buxhetit dhe Nysret Kocës si Ushtrues Detyre i Drejtoritt ë Thesarit në Ministri.
Kallëzimi është pranuar nga Prokuroria më 7 tetor
Sipas kallëzuesit, katër zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të kompetencave, për shkak të bllokimit të 35 milionë eurove të dedikuara për Komunën e Prishtinës.
Aty thuhet se ata kanë bllokuar projektet e investimeve kapitale, subvencionet dhe mallrat dhe shërbimet.
“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtar përkatësisht si titulluar të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin ne fuqi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i shkaktojë dëm institucionit publik Komunës së Prishtinës duke mos bërë alokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës në këtë mënyrë kundërligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik të qytetarëve të Kryeqytetit kanë bllokuar projektet e investimeve kapitale, subvencionet dhe mallrat dhe shërbimet, duke rrezikuar edhe shërbimet shëndetësore, shujtat e fëmijëve në institucione parashkollore dhe në mësim tërë ditorë si dhe dem financiar për shkak të tarifave të mijëra lëndëve të dërguara në përmbarim”, thuhet në kallëzim.
“Për fund, me qëllim të vlerësimit dhe verifikimit të pretendimeve të paraqitura në këtë kallëzim, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të ndërmarrë një proces hetimor të pavarur, profesional dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat e rastit dhe të konfirmohet përputhshmëria e veprimeve të personave të kallëzuar me ligjin”.
