Rama i ashpër me Muratin: Boll me lojëra politike, zhblloko buxhetin e kryeqytetit!

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se komuna i ka dërguar shkresë zyrtare Ministrisë së Financave për zhbllokim të buxhetit të kryeqytetit.

Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se krejt çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve politike të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, transmeton KFVA.

Tutje, ai përmes këtij postimi i drejtohet drejtpërdrejt Muratit, duke i thënë: “Hekuran Murati, boll me lojëra politike. Zhblloko buxhetin e kryeqyteti”.

“Hekuran, mos rri tu e gjujt përgjegjësinë! Çka po ndodh me buxhetin e Prishtinës është rezultat i vendimeve të tua politike, i askujt tjetër! Çdo status që shkruan në Facebook nuk është kurgjo tjetër veçse një përpjekje e lodhtë për me manipulu narrativën publike dhe me zhvendos fajin”.

“Ne sot i kemi dërguar Ministrisë së Financave edhe një shkresë tjetër zyrtare, sepse buxheti i Kryeqytetit i përfshirë qartësisht në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025  vazhdon të mos ekzekutohet.  Dhe për këtë, përgjegjësia politike është e JOTJA!”, ka shkruar i pari i Prishtinës.

Tutje, Rama thotë se kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt.

“Po flasim për 33 milionë euro të bllokuara, prej tyre 23 milionë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, të cilat mbesin pezull për shkak të vendimmarrjes tënde.  Ky është një veprim që, në vlerësimin tonë institucional dhe publik, bie ndesh me logjikën e qeverisjes, me frymën e ligjit dhe me parimet më bazike të funksionimit të pushtetit lokal”.

“Ta kesh të qartë: asnjë status, asnjë justifikim dhe asnjë tentativë për t’u fshehur pas retorikës politike nuk do të të shpëtojë nga përgjegjësia publike për këtë situatë.  Kryeqyteti nuk do të mbahet peng i kalkulimeve politike të askujt e as tënde!”, shkroi ai.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…