• Wed. Nov 12th, 2025

A mund të zbulohet një cunami nga hapësira, përpara se të godasë tokën?

Bykfvanews

Nov 12, 2025

Cunamet janë ndër dukuritë më të vështira për t’u dalluar në oqeanin e hapur, ndërsa lëvizin me shpejtësi drejt brigjeve. Por në verën e vitit 2025, shkencëtarët arritën të vëzhgonin një cunami ndërsa ai po ndodhte, një arritje e rrallë në historinë e monitorimit të fatkeqësive natyrore.

Ngjarja nisi në korrik 2025, kur një tërmet me magnitudë 8.8 goditi brigjet lindore të Gadishullit Kamçatka në Rusi, tërmeti më i fuqishëm i 15 viteve të fundit. Goditja e fuqishme shkaktoi një cunami me dallgë që udhëtonin me më shumë se 640 kilometra në orë. Brenda pak minutash, sirenat e alarmit u dëgjuan në komunitetet rreth Oqeanit Paqësor dhe miliona njerëz u urdhëruan të evakuohen, mes tyre rreth dy milionë vetëm në Japoni.

Ndërsa dallgët përhapeshin përmes oqeanit, ato krijuan jo vetëm frikë, por edhe valëzime në atmosferën e Tokës, të cilat për herë të parë lejuan që një cunami të identifikohej pothuajse në kohë reale.

Një ditë para ngjarjes, Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) kishte shtuar rastësisht një komponent të inteligjencës artificiale në sistemin e saj të alarmit për katastrofa, të quajtur Guardian. Brenda 20 minutash nga tërmeti, sistemi kishte sinjalizuar se dallgët po drejtoheshin drejt Havait, rreth gjysmë ore përpara se të mbërrinin. Fatmirësisht, valët që arritën në ishuj ishin vetëm rreth 1.7 metra të larta, duke shkaktuar përmbytje të lehta pa dëme të mëdha. Pjesa më e madhe e energjisë së cunamit u shua në oqeanin e hapur.

Kjo ngjarje dëshmoi se sistemi i NASA-s mund të zbulojë një cunami përpara se të godasë brigjet, thjesht duke analizuar sinjalet radio që satelitët e navigimit global dërgojnë drejt stacioneve tokësore. I njëjti mekanizëm mund të përdoret edhe për të zbuluar shpërthime vullkanike, lëshime raketash apo edhe testime bërthamore nëntokësore.

“Ne arritëm ta identifikonim cunamin pothuajse në kohë reale”, shpjegon Jeffrey Anderson, shkencëtar i të dhënave në Qendrën Kombëtare për Kërkime Atmosferike në SHBA, një nga zhvilluesit e sistemit Guardian.

Ideja për përdorimin e sinjaleve të satelitëve për zbulimin e cunameve është e vjetër disa dekada, por vetëm në vitet 2020 u bë realitet. Në vitin 2022, Anderson dhe një grup studiuesish nga Laboratori Jet Propulsion i NASA-s publikuan studimin që përshkruante mënyrën se si funksionon sistemi.

Kur një cunami formohet në oqeanin e hapur, valët mund të jenë të ulëta, vetëm 10 deri në 50 centimetra dhe pothuajse të padukshme. Megjithatë, ato zhvendosin sasi të mëdha uji, duke shkaktuar valëzime në shtresat e sipërme të atmosferës, përfshirë jonosferën, e cila ndodhet 50 deri në 300 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës. Ndryshimet në densitetin e elektroneve në këtë shtresë ndikojnë në mënyrën se si sinjalet satelitore udhëtojnë drejt tokës. Guardian mat këto vonesa për të identifikuar nëse po ndodh diçka e pazakontë.

Shkencëtarët kishin vënë re më parë “zhurmë” të tillë në sinjalet GPS, por më pas kuptuan se ajo mund të përdorej si tregues për cuname dhe shpërthime vullkanike. Valëzime të tilla janë zbuluar edhe pas tërmetit shkatërrimtar të Japonisë në vitin 2011 dhe shpërthimit vullkanik në Tonga në vitin 2022.

Deri në vitin 2025, asnjë cunami nuk ishte ndjekur në kohë reale me këtë metodë. Guardian e bëri të mundur këtë, duke ofruar paralajmërime të sakta ndërsa cunami i Kamçatkës përparonte drejt brigjeve. Ky sukses ngjalli shpresën se sistemet e bazuara në analizën e jonosferës mund të ofrojnë njoftime më të hershme dhe më të sigurta për komunitetet bregdetare në mbarë botën.

Sipas seismologut Harold Tobin nga Universiteti i Uashingtonit, “çdo minutë ka rëndësi kur bëhet fjalë për evakuime nga cunamet, prandaj zbulimet e hershme të Guardian janë një hap i madh përpara në sigurinë bregdetare.”

Në Evropë, shkencëtarët po zhvillojnë një sistem të ngjashëm që pritet të testohet në vitet e ardhshme dhe që mund të mbulojë edhe rajone si Oqeani Indian.

Megjithëse teknologjia nuk është ende e përsosur, pasi jonosfera reagon disa minuta pas fillimit të cunamit ekspertët besojnë se ajo mund të shpëtojë jetë, veçanërisht në zonat që ndodhen larg epiqendrës së tërmetit.

“Nëse dallgët përhapen në një distancë të madhe, ky sistem mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes”, thotë profesori Michael Hickey nga Universiteti Embry-Riddle në Florida.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *