Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka vlerësuar dëshminë e ish-diplomatit amerikan Christopher Hill në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Ne si qytetarë dhe si organizatë e kemi pritur shumë mirë, sepse dëshmitarët dhe diplomatët amerikanë po tregojnë të vërtetën – që UÇK-ja nuk ka qenë organizatë e përbashkët kriminale dhe nuk ka pasur mundësi të kryejë krime”, ka deklaruar Gucati në emisionin Five.
Ai ka shtuar se dëshmia e Hill-it ishte “shumë e saktë dhe e vërtetë”, ndërsa shprehu bindjen se e gjithë e vërteta do të dalë në pah gjatë procesit gjyqësor.
“Unë besoj që sot Hill një diplomat amerikan i shquar e dha nj dëshmi shumë të sakët dhe të vërtet për pjesëtarët e UCK, dua të besoj se çdo gjë do të dalë në pah”, ka theksuar Gucati.
Kreu i OVL-UÇK-së paralajmëroi gjithashtu se dëshmia e gjeneralit të pensionuar amerikan, Wesley Clark, që pritet të ndodhë javën e ardhshme, do të ketë peshë të madhe në proces.
“Është një bombë e madhe për Specialen sepse e di çdo send për pjesën e luftës dhe për vetë krerët e luftës”, ka theksuar ai.

