Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shpallur fitoren në pesë komuna nga balotazhi i 9 nëntorit, në Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik, shkruan KFVA.
Ai tha se sonte Republika e Kosovës foli me votë e besim e në emër të shpresës.
“Sonte Republika e Kosovës, foli me votë e besim, foli në emër të shpresës dhe në emër të punës, përtej zhurmës, fyerjes e ndajres. LDK shtëpia e madhe e qytetarisë sot ka fituar. Kemi fituar me ndershmëri, përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend”, tha Abdixhiku.
Tutje ai i bëri thirrje qytetarëve për festë në sheshin Ibrahim Rugova në kryeqytet.
“LDK e shpall fitoren në Prishtinë, Përparim Rama është Kryetar edhe për katër vite. Rama dhe LDK kanë marrë 51.5% të numëruara në Prishtinë, apo 47 mijë votues. Kemi fituar në Prishtinnë aty ku puna dhe kultura janë shenjë e identitetit tonë politik. I ftoj qytetarët në festë sonte nga ora 21:30 në sheshin Ibrahim Rugova në kryeqytet”, tha tutje ai.
Kjo fitore s’është veç e jona, është fitore e qytetarit. Që e duan shpresën dhe jo frikën. Është fitore e Kosovës që refuzon përçarjen. Sonte në këtë konferencë shpallim fitoren edhe në Pejë me 61%, në Viti me Sokol Halitin me 52%, Dragash me 60% dhe Junik me 60%. Pra sonte LDK fiton në pesë komuna”, tha Kryetari i LDK-së në konferencën për media.

