Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën për përurimin e dronit “Skifteri” të prodhuar në Gjilan nga kompania “Future Minds Academy”.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se pos furnizimeve nga jashtë, tash Kosova po prodhon vetë dronët e parë.
“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka dhënë detajet për dronët.
“Made in Gjilan” përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, ka shkruar tutje ai.

