Shtatë persona u dërguan në spital pasi një pako e dyshimtë që përmbante një pluhur të bardhë u hap në një bazë ushtarake pranë kryeqytetit amerikan, ku ndodhet edhe Air Force One, avioni presidencial, raportojnë mediat amerikane.
Sipas CNN, testet fillestare të kryera nga ekipi i materialeve të rrezikshme (HAZMAT) treguan se substanca nuk ishte e rrezikshme, megjithatë hetimet vijojnë. Personat që u dërguan në spital nga baza ushtarake bo Andrews të enjten, u liruan më pas, njoftoi rrjeti televiziv.
Sipas Fox News, disa prej tyre kishin raportuar dhimbje koke. CNN, duke cituar burime të afërta me hetimin, raportoi se në pako kishte gjithashtu materiale të përshkruara si ‘propagandë politike’.
‘Joint Base Andrews reagoi ndaj një incidenti pasi një individ hapi një pako të dyshimtë. Për arsye sigurie, ndërtesa dhe ajo ngjitur me të u evakuuan. Reagimi i menjëhershëm tregoi se nuk kishte kërcënime të menjëhershme, dhe më pas çështja iu kalua Zyrës së Hetimeve Speciale’, thuhet në deklaratën e bazës për mediat amerikane.
Baza Joint Base Andrews, që ndodhet në Maryland vetëm pak minuta larg Uashingtonit, përdoret nga zyrtarët më të lartë të qeverisë amerikane. Presidenti Donald Trump kishte zbritur në këtë bazë vetëm një ditë më parë, pas kthimit nga një forum biznesi në Florida.
CNN shtoi se pakoja ishte hapur në një ndërtesë ku ndodhet Qendra e Gatishmërisë e Gardës Kombëtare Ajrore.

