Erdhën në pushtet duke thënë se do ta zbardhin rastin e vdekjes së aktivistit të tyre, Astrit Dehari, por po shkojnë nga pushteti veç duke bërë homazhe tek varri i tij dhe asgjë më shumë. Ndërsa sot janë bërë 9 vite nga vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit në qelin e parabugimit, rasti ende nuk është qit në dritë, as gjatë qeverisjes Kurti, shkruan KFVA.
Sot e kësaj ditë kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe akterë të tjerë të partisë po mjaftohen me homazhe tek varri i Deharit dhe me nga një buqetë lule, por gjatë 4 viteve sa ishin në pushtet nuk u bë asgjë më shumë veç se zhdukja e mostrave të aktivistit të tyre.
Si u zhduken për dy vjet mostrat e Deharit dhe u rikthyen në mënyrë të paqartë?
Para dy viteve, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjakë, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”, kishte thënë Haxhiu.
Tek pas dy viteve, në vitin 2024, një pjesë e mostrave u gjenden.
“Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët”.
“Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme”, patën thënë burime të nacionales.
Ndërkohë për këtë zhdukjen e mostrave, Kurti nuk preferonte të fliste duke e hedhur përgjegjësinë tek Ministria e Drejtësisë.
“Më besoni, Ministria e Drejtësisë duhet ta jap përgjigjen adekuate për këtë”, pati thënë Kurti.
Vetëvendosje mendon se Astrit Dehari u vra, institutet ndërkombëtare nuk e kanë dëshmuar ende
Nga Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht kanë deklaruar se Astrit Dehari ishte vrarë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës kishte konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e afërta të vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij. Bëhet fjalë për një brisk rroje, një stilolaps të lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali. Ky Institut, sipas njoftimit të prokurorisë, nuk ka rekomanduar zhvarrosjen e trupit të Deharit për ri-ekzaminim, pasi sipas tyre ka kaluar kohë nga ngjarja.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.
Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

