Rama: Rusia s’do të sulmojë Europën, BE duhet të ketë një plan paqeje për Ukrainën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka minimizuar shqetësimet perëndimore mbi rrezikun e një zgjerimi të konfliktit rus në Europë, duke deklaruar se Moska “nuk do të sulmojë” asnjë vend të NATO-s apo të Bashkimit Europian. Në një intervistë për Al Jazeera, gjatë konferencës Berlin Global Dialogue, Rama u shpreh se një agresion rus ndaj vendeve të aleancës do të ishte “plotësisht absurd”, pasi NATO mbetet “forca ushtarake më e fuqishme në botë”.

Rama pranoi se shtetet kufitare me Rusinë po përballen me provokime të vazhdueshme, përfshirë incidente me dronë që prej shtatorit, por theksoi se Shqipëria nuk ka raportuar asnjë rast të tillë. “Ne nuk kemi frikë. Nuk ka hapësirë për armiqësi ruse në Shqipëri, sepse nuk ka simpati për Rusinë”, tha ai.

Megjithatë, kryeministri kritikoi mungesën e një plani të qartë paqeje nga ana e BE-së për konfliktin në Ukrainë. Ai tha se, ndërsa SHBA po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim, “është shumë e çuditshme që BE nuk ka një plan paqeje”, duke i bërë thirrje Brukselit të aktivizojë diplomacinë e vet dhe të gjejë mënyra reale dialogu me Moskën.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur tensionet me Rusinë në Europë janë rritur ndjeshëm, ndërsa paralajmërimet e inteligjencës gjermane sugjerojnë se Kremlini synon të zgjerojë ndikimin e tij drejt Perëndimit me metoda hibride dhe provokime të vazhdueshme.

Në pjesën tjetër të intervistës, Rama vlerësoi afrimin e politikave të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kjo u pasqyrua edhe në deklaratat e presidente­s së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila gjatë vizitës në Tiranë më 25 tetor tha se Shqipëria është “në rrugën e duhur drejt BE-së”, falë progresit të shpejtë të viteve të fundit.

Sipas Ramës, hapja e re e Bashkimit Europian ndaj rajonit është një mundësi historike që vendet e Ballkanit duhet ta shfrytëzojnë me seriozitet. 

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…