Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi zyrtarët e tij të lartë të hartojnë propozime mbi testimet e mundshme të armëve bërthamore. Masa vjen menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha javën e kaluar se SHBA-të do të rifillonin teste të tilla.
Putin tha se Rusia gjithmonë i është përmbajtur në mënyrë strikte detyrimeve të saj sipas Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore, por nëse Shtetet e Bashkuara ose ndonjë fuqi bërthamore teston një armë të tillë, atëherë edhe Rusia do ta bëjë të njëjtën gjë.
“Rusia gjithmonë i është përmbajtur në mënyrë strikte detyrimeve të saj sipas Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalimit të Testeve Bërthamore dhe ne nuk kemi plane për t’u tërhequr prej tyre. Në të njëjtën kohë, siç e thashë në fjalimin tim drejtuar Asamblesë Federale në vitin 2023, nëse Shtetet e Bashkuara ose nënshkrues të tjerë të traktatit kryejnë teste të tilla, Rusia do të detyrohet të marrë masa të përshtatshme reciproke. Po i udhëzoj Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, shërbimeve speciale dhe agjencive civile përkatëse që të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbledhur informacione shtesë mbi këtë çështje, ta analizojnë atë brenda kornizës së Këshillit të Sigurimit dhe të bëjnë propozime të dakorduara mbi fillimin e mundshëm të punës për përgatitjet për testimin e armëve bërthamore”.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov i tha Putinit se vërejtjet dhe veprimet e fundit nga Shtetet e Bashkuara nënkuptojnë se është “e këshillueshme të përgatiten menjëherë për teste bërthamore në shkallë të plotë”. Belousov tha se vendi i testimit në Arktik i Rusisë në Novaya Zemlya mund të presë teste të tilla me një njoftim të shkurtër.

