• Tue. Nov 4th, 2025

Zyrtari i IML-së me pasuri marramendëse – APK e detyron Naim Ukën të largohet nga OJQ-ja e tij!

Bykfvanews

Nov 4, 2025

Me një pasuri të shpërndarë në prona të paluajtshme, vetura, aksione biznesi dhe angazhime jashtë institucionit publik, Naim Uka, udhëheqës i Divizionit për Identifikim, Koordinim dhe Përkrahje në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka dorëzuar deklarimin vjetor të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Formulari i tij pasqyron një profil me burime të shumëfishta të të ardhurave dhe aktivitete që përfshijnë edhe sektorin privat dhe akademik, shkruan KFVA.

Përveç detyrës në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Naim Uka ka raportuar angazhime të tjera dhe të ardhura përkatëse.

Ai ka deklaruar se është edhe ligjërues në Kolegjin AAB, me të ardhura neto prej 2,603.48 euro gjatë vitit të kaluar, dhe kryetar i Organizatës Joqeveritare “Asociacioni Kosovar i Forenzikës”, nga e cila ka deklaruar të ardhura në para të gatshme, por që ka dhënë dorëheqje më 27 janar 2025 pas kërkesës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit si dhe anëtar i bordit në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Mjekësisë Ligjore dhe Shkencave Forenzike, institucion që merret me zhvillimin e fushës së mjekësisë ligjore dhe shkencave forenzike në Kosovë.

Pasuritë e paluajtshme dhe automjetet

Naim Uka, ka deklaruar pasuri të konsiderueshme në Agjencinë Kundër Korrupsionit, që përfshijnë prona të paluajtshme, vetura dhe aksione në kompani private.

Sipas formularit të dorëzuar, pasuritë e tij të paluajtshme arrijnë vlerën totale mbi 2.7 milionë euro.

Pasuritë e paluajtshme: Dy ara, njëra prej 9,009 metër katror e trashëguar në vitin 2012 me vlerë 315,250 euro, dhe tjetra prej 160 metra katror, e trashëguar në vitin 1968 me vlerë 1,280,000 euro dhe një arë tjetër në vlerë prej 950.000 euro, që figuron si e trashëguar.

Tri banesa: njëra me sipërfaqe 84 metra katror e blerë përmes kredisë dhe kursimeve në vitin 2016, me vlerë 108,000 euro; tjetra 59.60 meter katror, e blerë në vitin 2023 me vlerë 62,580 euro.

Po ashtu ka deklaruar dy garazha 13.00 metra katror, vlerë prej 7 mijë euro dhe një prej 12.5 metra katror, me vlerë 6 mijë euro.

Pasuritë e luajtshme

Në këtë kategori, Uka ka deklaruar dy vetura: një Volkswagen të blerë në vitin 2023 me vlerë 9,600 euro, në pronësi të fëmijëve të tij, dhe një tjetër Volkswagen të blerë në vitin 2020 me vlerë 10,400 euro, në pronësinë e deklaruesit.

Ai zotëron 100% të aksioneve në: Ndërmarrjen individuale “Naim Uka BI”, me vlerë 0 euro (regjistruar më 25.06.2009). si dhe në Shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “Kosberty SHPK”, me vlerë 2,000 euro, të regjistruar më 27.10.2020, që është në pronësi të fëmijëve të tij.

Në kategoritë tjera si letra me vlerë apo kriptovaluta, Uka nuk ka raportuar asnjë pasuri.


Mbi 15 mijë euro para të gatshme dhe kredi mbi 50 mijë euro

Uka, ka deklaruar gjithsej 15,696 euro para të gatshme në banka dhe në dorë.

Sipas formularit të pasurisë, ai mban mjete financiare në disa institucione bankare dhe në formë kesh, si më poshtë: 1,852.38 euro në NLB Banka, të ardhura nga kredi dhe paga nga Ministria e Drejtësisë; 6,744.01 euro në Procredit Bank, të ardhura nga pagat e mëhershme dhe mjetet personale; 760 euro në kesh; 5,601.63 euro në NLB Banka, nga kursimet; 320.54 euro dhe 368.95 euro në NLB Banka, në llogaritë e fëmijëve të tij; 150 euro në kesh, po ashtu në pronësi të fëmijëve.

Në total, pasuritë e tij të gatshme arrijnë mbi 15 mijë euro.

Uka ka raportuar dy kredi, njëra në emër të tij dhe tjetra në emër të fëmijëve (me të cilët jeton në bashkësi familjare): Kredi për blerje banese me shumën totale prej 33,110.61 euro, nga të cilat 25,000 euro mbeten për t’u shlyer, dhe Kredi tjetër prej 50,000 euro, që lidhet me investime në biznesin familjar “Kosberry”, me vlerë të papaguar prej 28,839 euro.

Në deklarim, zyrtari nuk ka raportuar asnjë donacion në parti politike apo shpenzime donacionesh për periudhën përkatëse.

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Uka ka deklaruar të ardhura vjetore në vlerë prej 18,402.40 euro, ndërsa ka deklaruar se ka marrë 16.802 euro, ku lloji i të hyrave figuron si “pagesa – vendime gjyqësore”.

Për udhëtime zyrtare jashtë vendit ka përfituar 552 euro nga IML dhe 4,808.67 euro nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Dorëheqja nga OJQ-ja pas kërkesës së APK-së

Një pjesë e rëndësishme e deklarimit lidhet me organizatën joqeveritare “Asociacioni Kosovar i Forenzikës”, e themeluar dhe drejtuar nga Uka.

Në formular ai sqaron se më 27 janar 2025 ka dhënë dorëheqje nga posti i themeluesit të kësaj OJQ-je, pas marrjes së një emaili nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Kam dhënë dorëheqje nga posti i Themeluesit të kësaj OJQ-je, pasi kam pranuar një email të datës 27.01.2025 nga APK. Prandaj, OJQ nuk ka pasur asnjë aktivitet deri më tani.”

Në deklarim përfshihen edhe të ardhurat e bashkëshortes, e punësuar në Komunën e Prishtinës, me pagë vjetore prej 7,622.65 euro, si dhe kompensime për komisione dhe delegacione.

Po ashtu, janë raportuar të ardhurat e fëmijëve, të cilët kanë marrë pagesa nga biznesi familjar “Kosberry”, Federata e Futbollit të Kosovës, USAID/TetraTech dhe KEDS, me një shumë prej 2,695.22 euro nga kjo e fundit.

Theksojmë se tani, Naim Uka mban postin e Udhëheqësit të Divizionit për Autopsi dhe Ekzaminime Mjeko-Ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *