Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë publikisht në mbështetje të Andrew Cuomo-s në garën për kryebashkiak të Nju Jorkut, duke u bërë thirrje votuesve të mos zgjedhin kandidatin progresist dhe kryesuesin aktual të sondazheve, Zohran Mamdani.
“Në qoftë se ju pëlqen apo jo Andrew Cuomo, nuk keni zgjidhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që ai të bëjë një punë të shkëlqyer,” shkroi Trump të hënën në mbrëmje në Truth Social. “Ai është i aftë për këtë, Mamdani nuk është!”
Duke reaguar ndaj kësaj mbështetjeje, ish-guvernatori i Nju Jorkut, Cuomo, u përgjigj: “Ai nuk po më mbështet mua. Ai po i kundërvihet Mamdanit.”
Më herët, presidenti ka deklaruar se do të hezitonte t’i dërgonte qytetit më shumë se minimumi i fondeve federale nëse Mamdani fiton zgjedhjet.
Sondazhet e opinionit tregojnë se Mamdani, kandidati demokrat, kryeson ndaj Cuomo-s, i cili garon si i pavarur pasi humbi primaret demokratike ndaj tij. Kandidati republikan, Curtis Sliwa, renditet ndjeshëm mbrapa. Trump, megjithëse republikan, zgjodhi të mos e mbështesë Sliwa-n, duke thënë se “një votë për Curtis Sliwa… është një votë për Mamdanin”, transmeton tch.
“Do të jetë e vështirë për mua si president t’i jap shumë para Nju Jorkut,” tha Trump. “Sepse kur ke një ‘komunist’ që drejton Nju Jorkun, thjesht po humb paratë.”
Mamdani reagoi: “Do ta trajtoj atë deklaratë siç është: një kërcënim. Nuk është ligj.”
Administrata Trump ka tentuar në mënyrë të përsëritur të presë grantet dhe financimet federale për projekte në zona të drejtuara nga demokratët. Vetëm këtë vit fiskal, Nju Jorku ka marrë 7.4 miliardë dollarë fonde federale.
Nëse fiton zgjedhjet, Mamdani do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit dhe më i riu në më shumë se 100 vjet. 34-vjeçari ka quajtur Cuomo-n “kukull dhe papagall të Trump-it”.
                                
