Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur rreth mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër.
AI tha emri i Konjufcës u dërgua te Osmani për të shmangur zgjedhjet, teksa tha se sa vota janë saktësisht për të, mund të merret vesh tek në seancë plenare.
Kurti tha se po të ishte parakusht sigurimi i 61 nënshkrimeve për mandatarin e dytë, nuk do të kishte kuptim afati 15 ditor.
“Po të ishte parakusht 61 nënshkrime që të tentohet herën e dytë të votohet Qeveria, nuk do të kishte pasur kuptim afati 15 ditor që ekziston për herën e dytë. Sa vota janë saktësisht, mund të merret vesh vetëm në seancë plenare”, tha Kurti në konferencë.
Tutje, ai tha se Konjufca i ka të sigurta 56 votat që i kishte vetë kur u hodh në votim Qeveria, teksa tha se mund ta marrë ndonjë më shumë.
“Glauk Konjufca i ka që të gjitha votat që i kam pasur unë… Ato 56 sigurt i ka edhe Glauku, ndoshta edhe merr ndonjë më shumë, ma pak s’mund të marrë. Është e pafalshme të mos tentohet…Le të përpiqemi maksimalisht që ta formojmë një Qeveri e të ecim përpara”, tha Kurti.
Përjashtoi mundësitë për ndonjë koalicion.
“Sa i përket koalicioneve qeverisëse me këto partitë, unë nuk shoh kurfarë mundësie as teorike më për shkak të mosbashkëpunimit të tyre, u kemi shkruar letra, na janë përgjigjur publikisht, na kanë thënë që nuk takohen”, shtoi Kurti.
Ai tha se arsyeja e propozimit të Konjufcës është edhe kalimi i buxhetit.
“Prandaj sot dërguam tek Presidentja emrin e Glauk Konjufcës, ish-Kryetarit të Kuvendit, që të bëjmë edhe një tentim për formimin e Qeverisë që të mos ketë dy palë zgjedhje për dy muaj. Meqë opozita po thotë se kurrsesi të votojë buxhet të Qeverisë në detyrë, atëherë le ta kemi një Qeveri që s’është më në detyrë dhe ta votojmë buxhetin”, tha Kurti.

