Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur më 27 tetor në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, ku janë përfshirë një autobus i linjës “24 Yjet” dhe katër vetura.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se me datën 27.10.2025 rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën Ukshin Hoti në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një autobus dhe katër vetura, kurse lëndime kanë pësuar pesë persona. Rasti është trajtuar nga Njësia e Trafikut të Kryeqytetit,” kanë konfirmuar nga Policia.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin rreth 40 deri në 50 persona – fëmijë, të rritur dhe të moshuar.
Për shkak të humbjes së kontrollit dhe mbingarkesës, shumë prej tyre ranë për tokë, duke u përplasur me njëri-tjetrin dhe me pjesët e autobusit.
Dëshmitarët tregojnë për një situatë kaotike brenda mjetit.
Sipas tyre, shoferi nuk kërkoi që pasagjerët të qëndronin në vend dhe as policia nuk u thirr menjëherë në vendin e ngjarjes.
Një pasagjer i tha Insajderit: “Isha ulur vetëm kur e pashë veten të shtirë në tokë. Përreth pashë fëmijë të gjakosur dhe të moshuar që mezi mbanin këmbët. Ishte tmerr i vërtetë.”
Një tjetër shtoi: “Autobusi ishte i stërmbushur, disa ishin në këmbë. Shoferi po voziste me shpejtësi dhe nuk ndërmori asnjë masë sigurie pas përplasjes.”
Sipas pasagjerëve, mbingarkesa në autobusët e kësaj linje është e zakonshme dhe incidenti ishte vetëm çështje kohe.
Përveç dëmeve të shkaktuara brenda autobusit, shoferi dyshohet se ka goditur edhe disa vetura të parkuara.
Nga kompania “24 Yjet” janë përgjigjur shkurt për Insajderin duke thënë se “në lidhje me rastin e aksidentit që ka ndodhur më 27 tetor është duke u marrë policia”.
Rasti nuk ishte përfshirë fillimisht në raportin 24-orësh të Policisë, por tashmë autoritetet kanë konfirmuar zyrtarisht ngjarjen.
Gazeta do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.

