Autoritetet ushtarake të Ukrainës kanë këmbëngulur se forcat e tyre po mbahen fort në qytetin e vijës së parë, Pokrovsk, në lindje të vendit.
Ndërkohë, forcat ruse dhe ato ukrainase kanë kryer sulme me raketa dhe dronë në disa zona gjatë natës midis 1 dhe 2 nëntorit.
Derisa luftimet po vazhdojnë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim midis presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara “nuk është i nevojshëm tani për tani”.
Komentet e tij, të publikuara nga agjencia TASS më 2 nëntor, janë shenjë shtesë se Moska është e vendosur ta vazhdojë pushtimin e plotë, pothuajse katërvjeçar, të Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja.
“Çfarë nevojitet tani është një punë shumë e kujdesshme për të shtjelluar hollësi specifike të problemit” tha Peskov, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Sulmet me raketa gjatë natës në Ukrainë
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi më 2 nëntor se Rusia kishte lëshuar raketa balistike të tipit Iskander-M dhe 79 dronë sulmues gjatë natës.
Një sulm me dronë rusë në qytetin ukrainas të Odesës vrau dy persona dhe plagosi një tjetër, sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Kiper, i cili tha se “infrastruktura civile” ishte dëmtuar.
Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi në Zaporizhja. Askush nuk u plagos në këtë incident, por tre persona u lënduan gjatë sulmeve të tjera në qytet.
Ndërkohë, Ukraina goditi një cisternë nafte dhe objekte të tjera në portin rus të Detit të Zi, Tuapse, në rajonin Krasnodar.
Zyrtarët lokalë thanë se “fragmentet e [dronëve] ranë mbi një cisternë nafte, duke dëmtuar pjesën e sipërme të strukturës së anijes. Një zjarr shpërtheu në bord dhe ekuipazhi u evakuua”.
Ky vend ka qenë shpesh herë në shënjestruar të dronëve ukrainas gjatë vitit të fundit.
Beteja për Pokrovskun
Në vijën e frontit, autoritetet ushtarake ukrainase raportuan luftime të vazhdueshme në shumë zona më 2 nëntor, por vëmendja kryesore mbetet tek Pokrovsk, ku forcat ukrainase përballen, sipas raporteve, me rreth 170.000 trupa ruse.
Analistët paralajmërojnë se rënia e Pokrovskut, i cili para luftës kishte rreth 70.000 banorë, mund ta hapë rrugën për trupat ruse drejt perëndimit, në rajonin Dnipropetrovsk, duke rrezikuar zonat jugore të Ukrainës.
“Ne po e mbajmë Pokrovskun”, shkroi në Facebook komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 1 nëntor.
“Një operacion i gjerë për të shkatërruar dhe dëbuar forcat armike nga Pokrovsku është në zhvillim e sipër”, shtoi ai, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti betejën për qytetin pothuajse të shkatërruar “prioritet” për Ukrainën.
Pas raportimeve nga mediat perëndimore, Kievi konfirmoi se ka dërguar forca speciale në këtë qytet strategjik, pasi ushtria ruse pretendoi se kishte rrethuar ushtarët ukrainas atje.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu pretendoi se forcat e saj kishin vrarë të 11 anëtarët e një ekipi të forcave speciale ukrainase që kishin zbarkuar në qytet me helikopter.
Situata në terren mbetet e paqartë dhe nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Vlerësimet sugjerojnë se midis 200 dhe 400 ushtarë rusë ndodhen tashmë brenda lagjeve lindore të qytetit, duke përdorur terrenin urban, bodrumet dhe veshje civile për të mos rënë në sy të ushtrisë ukrainase.

