Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka paralajmëruar për një krizë të thelluar energjetike, duke iu referuar këtij edhe prodhimit të energjisë që ditë më parë kishte rënë në 40 për qind.
Ajo në një interviste, ka thënë se blloqet energjetike janë stërvjetruar, me ç’rast ka hedhur kritika ndaj Qeverisë në detyrë që nuk ka bërë asgjë për të ndërtuar kapacitetet energjetike.
“Ditëve të fundit ka rënë prodhimi për 40 për qind, prej 19 mijë megavatëve ka rënë 11 mijë e diçka megavatë në orë dhe nesër nuk do të jetë gjendja hiç më e mirë. Kjo tregon për destabilitetin energjetik të KEK-ut, por edhe mundësitë e qeverisjes janë shfrytëzuar deri më tani. Tanimë qeveri në detyrë për sa e sa vite dhe që e kanë sjellë në këtë gjendje. Nuk mundemi me pasur në këtë kohë përveç importit. Kam marrë edhe statistikat e importit në doganë, jemi mbi 220 milionë euro import, mbi 812 mijë euro në ditë në import nga Dogana e Kosovës. Blloqet energjetike nuk kanë qenë asnjëherë në gjendje për këtë. Jemi vend i pasluftës dhe ato janë shumë kohë më herët të ndërtuara. Në këtë qeveri nuk është punuar në këtë drejtim për të përmirësuar, nuk është punuar në kapacitetet energjetike, në organizim të mirë të importit në suaza vjetore. Nëse shkon në kërkesat e larta për energji elektrike dhe merr energji elektrike në suaza ditore, çmimi është shumë më i lartë dhe askund nuk e ke të organizuar si duhet. Për shembull bie blloku dhe ti do të kërkosh energji në mënyrë emergjente dhe çmimi është më i lartë dhe nuk i organizon, ose shkon me ndalje në regjione të caktuara në Kosovë, për ta mbajtur disi me njëfarë forme mbarëvajtjen e një shteti siç është Kosova”, ka thënë Ymeri.
Ajo ka thëën se tani i gjithë importi i energjisë varet nga NOA, kompani kjo që sipas saj është regjistruar me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë.
“Ne mbijetojmë me remitenca, mbijetojmë me të rinjtë e të rejat që shkojnë jashtë dhe na dërgojnë para brenda muajit ose kur të vijnë këtu, sepse kemi mbërritur në një pikë ku interesat për disa biznese kanë qenë më të mëdha, në këtë rast për import. Në momentin kur ka ardhur Albin Kurti në qeveri, është bërë regjistrimi i NOA-s në Kosovë, edhe i gjithë importi sot varet prej një kompanie në importet që është edhe primati i kompanisë importuese të energjisë së Kosovës, siç është NOA. Kjo krejt në bashkëpunim, siç po dyshohet, me EFT e Vukmoviq. Nga kombëtarizimi, nacionalizimi kemi përfunduar në emancipim ose forcim të kompanive të rrënjëve serbe, siç shihet nga të dhënat publike, por gjithçka është në vërtetim e sipër. Besoj tash edhe me hetimet e prokurorisë. Nuk ka qenë interesi me forcuar korporatën, por ka qenë interesi me importuar, sepse kur të forcohet korporata gjithçka është transparente, dhe ne paguajmë më pak energji, askush nuk fiton. Pra paguajnë punëtorët që punojnë në KEK, ne e marrim dhe paguajmë faturën, asnjë entitet tjetër biznesor ose asnjë institucion tjetër nuk ka mundësi ta keqpërdorë pozitën e vet. Në rast se kur dalim në import, mundësia është tek ankandi për import kur të bëhet, tek kapaciteti transmetues ka mundësi dhe tek një varg hallkash që mund të keqpërdoren si pozita zyrtare ashtu edhe përfitimet e mundshme nga kontratat e bizneseve”, theksoi zyrtarja e LDK-së.
Zyrtarja e LDK-së ka konfirmuar se është ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ftesë e cila lidhet me kërkesën që vetë ka dorëzuar për hetimin e dyshimeve mbi keqpërdorimin e pozitave zyrtare në KOSTT dhe në menaxhimin e kapaciteteve interkonektive të energjisë.
“Ajo çka mund të them për ftesën e prokurores është se më ka ftuar për shkak të kërkesës që kam dërguar për hetime, në lidhje me keqpërdorimin e pozitave zyrtare nga ana e zyrtarëve të KOSTT-it e për kapacitetet interkonektive të energjetikës, sidomos në kufijtë Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, në lidhje specifikisht me kompanitë EFT, Vukmoviq dhe NOA. Pres që të intervistohen të gjitha palët relevante, pres me pasur informata të plota, ekspertizë teknike sidomos nga ana e prokurorisë dhe me u hap një gjykim ku drejtësia triumfon”, përfundoi ajo.


