Gazetarët hulumtues në Kosovë janë infiltruar në grupe private në Telegram, ku mercenarë me përvojë shumëvjeçare rekrutojnë vullnetarë të rinj nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke u ofruar kontrata fitimprurëse dhe përfitime të ndryshme nëse i bashkohen ushtrisë ruse në frontin e Ukrainës.
“Vëllezër, mos harroni, për çdo pyetje – shkoni si turistë për në Rusi. Asnjë përgjigje tjetër”.
Kjo është një nga qindra mesazhe të shkëmbyera në një grup privat në Telegram, ku janë bashkuar gazetarët hulumtues gjatë hetimit të tyre mbi mënyrën se si mercenarët përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar vullnetarë të rinj nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke i joshur të bashkohen me forcat ruse në Ukrainë.
Edhe pse pjesëmarrja dhe organizimi i pjesëmarrjes në konflikte të huaja janë të ndaluara me ligj në të dy vendet, hetimi tregon se shtetas të Serbisë dhe Bosnjës rekrutohen aktivisht për ushtrinë ruse përmes rrjetit Telegram.
Gjatë katër muajve të monitorimit të grupeve të rekrutimit në Telegram, gazetarët hulumtues zbuluan se mercenarët nga Ballkani, me dekada përvojë në front, tërheqin vullnetarë të rinj duke u premtuar mijëra euro fitim, shtetësi ruse dhe përfitime për familjet e tyre.
BIRN identifikoi të paktën dy mercenarë të njohur si rekrutues – Dejan Beriq, i njohur për kanalet e tij popullore në YouTube dhe Telegram ku ndan përvojat nga fronti me mijëra ndjekës, dhe Davor Saviçiq, mercenar me përvojë dhe oficer i shërbimit ushtarak informativ rus (GRU), i cili më parë ka luftuar edhe në Siri.
Të dy janë angazhuar në anën e forcave pro-ruse në Republikën Popullore të vetëshpallur të Donetskut në lindje të Donbasit që nga viti 2014, transmeton KFVA.
Beriq iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it duke thënë se do pranonte intervistë vetëm nëse do paguhej mirë, ndërsa Saviçiq u përgjigj me dy mesazhe zanore me sharje dhe fyerje.
Telegram, deri në publikimin e tekstit, nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN-it në lidhje me grupet e rekrutimit.
Veteranët e vijës së parë rekrutojnë vullnetarë të rinj për ushtrinë ruse
Në muajin korrik të vitit 2025, pas humbjeve të mëdha të Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjeve të Moskës për të shmangur një valë tjetër të mobilizimit masiv, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që u lejon të huajve të shërbejnë në ushtrinë ruse, jo vetëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe në “periudhat e mobilizimit”. Në Rusi vazhdon të jetë në fuqi dekreti për mobilizim i shpallur nga Putini në vitin 2022.
Së shpejti pas nënshkrimit të dekretit, gazetarët e BIRN-it vunë re një rritje të reklamave për rekrutim në rrjetet sociale dhe hynë në kontakt me rekrutuesit duke përdorur një identitet të rremë me emrin “Igor Dimitrijeviq”.
Përmes këtij profili, ata kontaktuan me Dejan Beriqin, njërin nga luftëtarët më të njohur serbë në ushtrinë ruse, i cili rregullisht publikon video nga fronti në kanalet e tij në Telegram dhe YouTube.
Komunikimi u ndërpre kur Beriq pyeti nëse “Igori” dinte rusisht, duke sqaruar se kontratat mund t’i nënshkruajnë vetëm meshkujt nga 20 deri në 49 vjeç që flasin rusisht.
Megjithatë, më 9 shtator, Beriq dërgoi një mesazh privat duke thënë se po formohej një njësi e re me “shumë serbë” dhe se njohja e rusishtes nuk do të ishte e detyrueshme.
“Këtu kemi rregulluar gjithçka. Mund të nisesh. Kur ta blesh biletën, njofto që të presim dikë në aeroport. Shiko të marrësh biletë të lirë, përmes Turqisë, jo këto të drejtat, të shtrenjtat”, tha Beriq në një mesazh zanor, duke shtuar se paratë për biletën deri në Moskë do të rimbursoheshin.
Beriq tregoi një rregull – nga Rusia nuk lejohet dërgimi i fotove, videove apo mesazheve as familjarëve më të afërt – në të kundërtën pason burgim shumëvjeçar.
“Gjithçka është e rreptë. Stërvitja nuk është e vështirë, asgjë e komplikuar. Komandanti është Vuku”, shkroi ai.
“Vuk” është nofka e Davor Saviçiqit, mercenar i njohur nga Republika Serbe, i cili është shfaqur me Beriqin në media ruse. Ai i tha “Igorit” se do ta priste në aeroportin Vnukovo në Moskë.
Kur gazetarët e kontaktuan “Davorin”, ai dërgoi një foto të tij për ta njohur në aeroport – në foto ishte Davor Saviçiç. Ai refuzoi të fliste për detajet e kontratës përmes Telegramit.
“Kur të vish, vëlla, nuk flasim asgjë në telefon”, tha ai.
Saviçiq është vullnetar nga Doboj (Bosnja e veriut), për të cilin Radio Evropa e Lirë kishte konstatuar më parë se është oficer i GRU-së dhe që nga fundi i vitit 2021 rekruton mercenarë për batalionin e tij “Vukovi”.Sipas RSE-së, ai ka marrë pjesë në luftën në Siri si pjesëtar i grupit mercenar Wagner, ndërsa në vitet 2018–2019 ka qenë në Donbas si instruktor në një grup specialistësh të GRU-së që ndihmonin ushtrinë e Republikës Popullore të Donetskut.
Bosnja dhe Serbia në vitin 2014 ndryshuan kodet penale për të ndaluar pjesëmarrjen në luftëra të huaja, pasi shumë shtetas nga Ballkani kishin shkuar në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me Shtetin Islamik.
Dënimet për këtë shkelje ndryshojnë nga dy muaj deri në dhjetë vjet burg në Serbi, dhe deri në tetë vjet në Bosnjë.
Megjithatë, vullnetarë nga të dy vendet i janë bashkuar forcave ruse që nga aneksimi i Krimesë në 2014, dhe raportime të reja për mercenarë ballkanikë janë shfaqur që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Rekrutimi përmes rrjeteve sociale
Një tjetër shpallje për rekrutë të mundshëm në ushtrinë ruse u publikua në Facebook. Postimi ishte në serbisht, dhe përmbante një numër telefoni rus të një personi me emrin “Aslan”.
Përmes këtij numri, profili “Igor Dimitrijeviq” i BIRN-it kontaktoi me “Aslanin”, i cili tha se shërbente në ushtrinë ruse dhe se një mik serb e kishte lutur të ndihmonte bashkëkombasit që të nënshkruanin kontratat.
“Të gjithë jemi vëllezër,” shkroi ai.
“Aslani” tha se rekrutët e rinj pas nënshkrimit të kontratës njëvjeçare marrin një bonus prej 52 mijë markash konvertibile (rreth 26 mijë euro) dhe më pas një pagë mujore prej 5.500 markash (rreth 2.250 euro).
Të njëjtat shuma përmendeshin edhe nga administratori i grupit Telegram “SVO” (“Operacioni Ushtarak Special”) – term që përdorin autoritetet ruse për pushtimin e Ukrainës.
Grupi u krijua me njëzet e disa anëtarë, shumica të rinj nga Serbia, disa nga Republika Serbe dhe një pjesë e tyre ish-të burgosur. Madje kishte edhe një grua, e cila më pas u përjashtua pasi u sqarua se të huajat nuk pranoheshin.
Administratori i grupit përdorte pseudonimin “Çetniku Vullnetar”, njësoj si faqja në Facebook ku ishte publikuar njoftimi për rekrutim. BIRN zbuloi se pas këtij profili fshihej një burrë me emrin Zhelko Tomiq, i cili kishte publikuar foto nga fronti me Darijo Ristiqin, një tjetër vullnetar nga Modriça.
Ristiqi u arrestua në Bosnje në muajin shtator të vitit 2025 dhe është akuzuar për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë. Avokati i tij, Rade Çulibrk, tha për BIRN se rasti është në fazën e arritjes së një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Vullnetarëve u premtohen mijëra euro, shtetësi ruse dhe vende pune
Administratori “Çetniku Vullnetar” u shkruante anëtarëve të grupit se, pas mbërritjes në hotelin në Socchi (Rusi), çdo rekrut do të nënshkruante një kontratë njëvjeçare dhe do të merrte bonusin prej 26.000 eurosh. Më pas, paga mujore do të ishte 2.250 euro.
Ai premtonte gjithashtu se përmes shërbimit në ushtri mund të fitohej shtetësia ruse – e cila më pas do t’u mundësonte edhe anëtarëve të familjes përfitime, përfshirë arsim falas për fëmijët dhe ndihmë për veteranët pas përfundimit të luftës, duke u siguruar edhe vende pune
 
                                

