Pas takimeve me krerët e partive politike në përpjekje për krijimin e qeverisë së re, e ku u fol edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj edhe Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutua për procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale dhe për përgatitjet e KQZ-së për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor.
Po ashtu, u trajtua funksionimi i përgjithshëm i KQZ-së dhe përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale si dhe me përgatitjet që KQZ-ja po bën për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për funksionimin e përgjithshëm të KQZ-së, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin vazhdueshëm të proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Gjatë ditës, presidentja Osmani zhvilloi takime edhe me krerët e partive politike për të diskutuar emërimin e një mandatori të ri për qeverinë. Ajo tha se partitë kanë qëndrime të ndryshme dhe vendimi për mandatarin e dytë skadon më 5 nëntor.
Osmani paralajmëroi gjithashtu mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe rreziqet që mund të shfaqen në rast të mungesës së shumicës parlamentare:
“Kjo çështje është ngritur nga disa prej pjesëmarrësve për të paralajmëruar një situatë që mund të përballemi si vend. Ta zëmë ka zgjedhje në dhjetor, pastaj merr disa muaj kohë deri t’i kemi institucionet, dhe pastaj sapo ta kemi një qeveri, menjëherë në mungesë kuorumi prej 2/3, vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Një situatë e tillë u përmend, për të paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në 3-4 muajt në vijim, që është situatë e rëndë jo vetëm për KQZ, por edhe për periudhë të gjatë qytetarët të mos i kenë institucionet.”
Partitë e ish-opozitës PDK, LDK dhe AAK kërkuan zgjedhje të reja.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u shpreh se në takim ishte bërë e qartë se askush nuk mund të sigurojë shumicën për të formuar qeverinë. Sipas tij, zgjedhjet e reja tashmë janë të imponuara.
“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”, tha Krasniqi. Ai shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar shumicën me partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, diçka e tillë nuk është arritur.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se ideja e një qeverie uniteti u përmend gjatë takimit, por shumica e partive ishin të qarta se nuk ekziston shumicë parlamentare sipas rezultateve aktuale.
Ai tha se në këto rrethana afatet kushtetuese çojnë drejt organizimit të zgjedhjeve të reja.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe duhet që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja. Haradinaj deklaroi se ajo ka afat që deri më 5 nëntor të vendosë nëse do të mandatojë dikë tjetër për të formuar ekzekutivin e ri apo do të shpallë zgjedhjet e reja.
Sipas kreut të AAK-së, presidentja mund ta shpallte që sot datën e zgjedhjeve të reja, por kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi disa ditë kohë për të tentuar që të bëjë sërish shumicën.
“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet më shpejt, brenda 30 ditësh”, tha ai, duke shtuar se data më e afërt është 7 dhjetori. “Qëndrimi i AAK-së është që ne nuk duam të humbim kohë, në afatin e parë kushtetues të veprohet dhe të mbahen zgjedhjet”, theksoi Haradinaj.
Ai tha se nëse zgjedhjet nuk mbahen më 7 dhjetor, atëherë data e dytë më e shpejtë është 14 dhjetori, duke argumentuar se vendit i duhet një qeveri e re sa më shpejt në mënyrë që të mund të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.
Takimet tregojnë se deri më tani nuk ka konsensus për një mandatar të ri dhe se vendi po përgatitet për zgjedhje të reja. Afati i fundit për vendimin e presidentes Osmani mbetet 5 nëntori.

