Osmani mbledh sot liderët partiakë – pritet vendimi nëse do të ketë mandatar të ri apo zgjedhje të parakohshme

Për në orën 12:00 sot, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim liderët e partive politike, nga të cilët do të kërkojë të deklarohen nëse i kanë numrat për formimin e qeverisë së re.

Por, bazuar në deklaratat e deritashme, asnjë subjekt politik nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në Kuvend.

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për sot liderët e partive politike për të diskutuar rrugën përpara, pas dështimit të mandatarit të parë për ta formuar qeverinë.

Sipas njoftimit të dhënë nga Zyra e Presidentes, takimi me liderët partiakë është paraparë që të nisë në mesditë.

Ftesa e Osmanit për këtë takim, katër ditë pas dështimit për formimin e qeverisë, është konsideruar e vonuar nga Vlora Çitaku, e cila është nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike (PDK).

Megjithëkëtë, ajo ka thënë se në diskutimet me presidenten do të konfirmohet qëndrimi i partisë se duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Është e qartë që nuk ka shumicë të re parlamentare, nuk kemi nevojë për taktizime. Vendi ka nevojë për institucione dhe është e qartë që ky Kuvend nuk po arrin që të formojë një shumicë të re, duhet të shkojmë në zgjedhje e më pas të ballafaqohemi me sfidat e mëdha që i ka qytetari i Republikës së Kosovës”, ka theksuar Çitaku.

Kundër zgjedhjeve nuk është deklaruar as nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu. Por, ajo ka theksuar se qëndrimi përfundimtar do të prezantohet para presidentes.

“Nesër do ta japim qëndrimin e LVV-së. Ajo se çfarë dihet tashmë është se presidentja mund të shpallë zgjedhjet, por edhe mund t’ia japë mandatarin dikujt nga partitë politike, qëndrimin në raport me të do ta japim nesër, sepse nesër do të jemi të pranishëm në këtë takim”, ka thënë Haxhiu.

Pas dështimit të formimit të qeverisë në seancën e 26 tetorit, është në diskrecion të presidentes që t’ia ofrojë mandatarin cilësdo parti që e dëshmon shumicën. Por, meqë asnjë kamp politik nuk ka siguruar koalicione, opsion mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Sipas Kushtetutës, në rrethanë të tillë, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…