Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të sotëm me partitë politike, tha se ka pasur qëndrime që s’mund të krijohet shumica për qeveri dhe kishte qëndrime që duhet takuar përsëri për të parë mundësinë për propozimin e një mandatari të ri.
Ajo tregoi se do të presë deri më datën 5 nëntor kur edhe skadon afati kushtetues për caktimin e mandatarit të dytë dhe do të takojë këdo që ka gatishmëri për të bërë shumicën.
“Besoj i keni dëgjuar partitë për qëndrimet e tyre. Disa kishin që s’mund të krijojnë shumicë, kishte qëndrime që dëshirojnë të takohemi sërish për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri. Sipas Kushtetues ne i kemi dhjetë ditë, afati s’kadon deri më 5 nëntor. Deri me atë datë do të kontaktoj me kryetarë te partive. Do të jem në komunikim me ta, dhe kushdo që ka gatishmëri për takim për të parë nëse ka mundësi për caktim të një madatari të tjetër, i pres në takim”, ka thënë Osmani.
Osmani tregoi se kishte qenë Albin Kurti ai që i ka kërkuar presidentes edhe disa ditë dhe një takim të ardhshëm për të propozuar potencialisht edhe një mandatar për krijimin e qeverisë. Nëse deri më 5 nëntor s’ka qeveri të re, Kosova shkon në zgjedhje.
 
                                

