• Fri. Oct 31st, 2025

Kush ishte Fatos Nano – tri herë kryeministër dhe një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar

Bykfvanews

Oct 31, 2025

Fatos Nano mbylli përgjithmonë sytë këtë të premte, 31 tetor, në moshën 73-vjeçare. Ai ndodhej prej rreth një muaji në një spital në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Prej kohësh vuante nga probleme me mushkëritë dhe përgjatë viteve të fundit ishte shtruar herë pas here në spital.

Por kush ishte Fatos Nano?

Fatos Nano ishte kryeministër i Shqipërisë tri herë. Ndërsa për 13 vjet, ishte kryetar i Partisë Socialiste.

Nano e mbajti detyrën e kryeministrit nga 29 shtator 2002-1 shtator 2005, 25 korrik 1997-27 shtator 1998, 22 shkurt 1991-4 qershor 1991. Ndërsa si kryetar i Partisë Socialiste ai e mbajti këtë detyrë nga 12 qershori 1991 deri më 3 korrik 2005.

Fatos Nano e nisi karrierën e tij politike në vitin 1991, pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit, me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatiste vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet e 31 marsit 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh, ai u detyrua të jepte dorëheqjen. Atë vit, ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Në mars të vitit 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit më pas, Fatos Nano u burgos, pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë postkomuniste.

Gjatë vitit 1994, skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur, të nxitur nga opozita kundër qeverisë, me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Berisha dha dorëheqjen dhe Kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin. Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon.

Në shtator të vitit 1998, vrasja e Azem Hajdarit çoi në një revoltë popullore dhe e detyroi Fatos Nanon të jepte dorëheqjen. Fatos Nano u shpall i pafajshëm nga një gjykatë në Tiranë ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.

Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë Kryeministër për të tretën herë në korrik 2002, i emëruar nga Presidenti Alfred Moisiu. Më 3 korrik 2005, Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Partia Demokratike fitoi shumicën dhe kryetari i saj, Sali Berisha, u emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005, Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.

Nano kërkoi të zgjidhej si President më 8 korrik 2007, pas mbarimit të mandatit të presidentit Moisiu. Shumica e deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Partia Socialiste, nuk e përkrahën kandidaturën e tij dhe bojkotuan zgjedhjet.

Si deputet i Parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.

Fatos Nano studio në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975, kreu specializimet për Ekonomi Politike. Në vitin 1983, me vendimin nr. 81, datë 23 shtator 1983, të Universitetit të Tiranës, mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000, titullin “Profesor Doktor” në fushën e ekonomisë. Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali), në vitin 2000, u dekorua me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit, dhe po në këtë vit, mori titullin e nderit “Doktor Honoris Causa” në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *