• Fri. Oct 31st, 2025

Kurti për vdekjen e Fatos Nanos: Emër qendror në historinë politike të Shqipërisë së tranzicionit

Bykfvanews

Oct 31, 2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë qendrore të historisë politike shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit nga komunizmi në demokraci.

Kurti ka kujtuar dy takimet që kishte pasur me Nanon, të cilat, siç thotë ai, i kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë.

“Herën e parë e takova në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë u kthye natyrshëm në temë të bisedës sonë njohëse,” ka shkruar Kurti.

Sipas tij, takimi i dytë me Nanon ndodhi pasi ky i fundit ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë. “Më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë, dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal,” ka treguar ai.

Kurti ka vlerësuar rolin politik të Fatos Nanos, duke e përshkruar si një personalitet që ka ndikuar në reformat dhe në zhvillimet e Shqipërisë gjatë tri mandateve të tij si kryeministër — në vitet 1991, 1997-1998 dhe 2002-2005.

Në reagimin e tij, kreu i Qeverisë së Kosovës ka nënvizuar gjithashtu kontributin e Nanos gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si një mbështetës të rëndësishëm në fazat e para të organizimit të saj.

“Historia moderne e shtetit shqiptar dhe ajo e Kosovës do ta kenë të dendur emrin e tij mes politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI,” ka theksuar Kurti, duke shprehur ngushëllime familjes, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *