Albin Kurti në përpjekjen e tij për të mbajtur pushtetin, vitin 2025 e ka çuar si kryeministër në detyrë, pa legjitimitet dhe me vendime të njëpasnjëshme populiste.
Hiç më larg se para katër vjetësh, ishte vetë Kurti që kishte kritikuar ish-pushtetarët për vendimet e tyre për ngritje pagash në kohë zgjedhjesh. Kishte thënë se ishte vetëm përpjekje për të mbajtur pushtetin. Sivjet, vetë Kurti ka marrë të njëjtat vendime në përpjekje për të mbajtur pushtetin.
Pak para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Albin Kurti kishte vendosur që pagat në sektorin publik t’i ngriste për 55 euro, duke filluar nga janari i vitit 2025.
Ishte arsyetuar se këtë po e bën për t’i mbështetur ata që kanë paga më të ulëta dhe për të ngushtuar hendekun mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritjen e pensioneve bazë për pensionistët dhe rritjen e shtesave për fëmijët, në votimin e Projektligjit të Buxhetit për vitin 2026.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, Kurti ka deklaruar se pensioni bazë për pensionistët do të rritet nga 120 euro në 150.
Ai ka bërë të ditur se pensionet me rritje do të ekzekutohen qysh nga nesër (1 nëntor). “Pensioni minimal nga 120 euro do të bëhet 150 euro duke filluar nga muaji nëntor që fillon nesër. Kjo rritje prek rreth 200 mijë pensionistë në kategori të pensioneve bazike, ato për persona me aftësi të kufizuara, pensioni familjar dhe pensioni invalidor të punës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se në projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë edhe rritja për 50% të shtesave për fëmijët nga 0 deri në 16 vjet.
“Nga muaji nëntor, shtesat për të gjithë fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç do të rriten për 50%, pra një nënë që këtë muaj ka marrë 40 euro nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Por, në vitin 2021, në një konferencë për media nga objekti i Qeverisë, Kurti kishte bërë deklarata kritikuese për veprime të tilla në kohë fushatash.
“Qeveritë e mëhershme i kanë rritur pagat me premtime elektorale, që mandej i kanë përmbushur pjesërisht ose aspak. Mirëpo ekonomia nuk funksionon ashtu, mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me fushata elektorale, siç është bërë në të kaluarën. Rritja e pagave do ta ndjekë rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike”, kishte deklaruar Kurti.
Ndërkaq, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, vendimi i qeverisë në detyrë për buxhetin e ri, do të ketë pasoja të shumta në qëndrueshmërinë financiare të Kosovës.
Vendimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës për buxhetin e ri dhe rritjen e pagës minimale e pensionit dhe beneficioneve, do të kenë pasoja të shumta për qëndrueshmërinë financiare të Kosovës, thotë Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.
Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, të premten miratoi buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove.
Ajo e rriti pagën minimale nga 350 deri në 500 euro, që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, si dhe rriti pensionin minimal dhe shtesat për fëmijë qysh nga muaji i ardhshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Bektashi tha, gjithashtu, se ky buxhet nuk është edhe aq i madh, dhe e vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimeve të ndërmarra nga një Qeveri në detyrë.
Ai vlerëson se vendimet për rritjen e pagës minimale, pensionit bazik dhe shtesave të fëmijëve janë “populliste”.

