Vdekja e punëtorit në Prizren, Inspektorati i Punës: Subjektit biznesor ia ndaluam punimet, por nuk respektuan vendimin

Një 34-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.

Për këtë ka reaguar Inspektorati i Punës, duke shprehur ngushëllime.

Inspektorari i Punës ka treguar se gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.

Përkundër, kësaj subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit.

Komunikata e plotë:

NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Rreth rastit tragjik të ndodhur në vendin e punës

Inspektorati Qendror i Punës me keqardhje të thellë njofton opinionin publik se sot ka ndodhur një aksident i rëndë në vendin e punës në një subjekt afarist me veprimtari në fushën e ndërtimit në rajonin e Prizrenit, ku si pasojë e rrëzimit nga një lartësi, një punëtor ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat përkundër përpjekjeve mjekësore, kanë rezultuar fatale pas dërgimit të tij në QKUK.

Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për familjen e punëtorit të ndjerë, duke ndarë dhimbjen me ta për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur.

Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe shqyrtimit të rrethanave, është konstatuar se subjekti në fjalë kishte qenë më herët objekt i inspektimeve nga Inspektorati i Punës, në kuadër të aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit.

Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.

Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër.

Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.

Inspektorati Qendror i Punës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ndriçimin e plotë të rastit, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente të hetuesisë për përgjegjësitë ligjore të subjektit.

Inspektorati Qendror i Punës

Prishtinë, më 29 tetor 2025

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…