• Sun. Nov 2nd, 2025

ShBA’ja e heq Millorad Dodikun nga lista e zezë

Bykfvanews

Oct 29, 2025

Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, si dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq, njoftoi Departamenti i Thesarit të mërkurën.

Përveç tyre, nga lista e zezë janë hequr dhe anëtarët e familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë.

Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Siç raporton portali “Klix” me seli në Sarajevë, vendimi për të hequr sanksionet lidhet me marrëveshjen jozyrtare midis Milorad Dodikut dhe administratës së re amerikane.

“Më saktësisht, nga lista e OFAC-it u larguan: Milorad Dodik, Željka Cvijanović, Nenad Stevandić, Staša Košarac, Radovan Višković, Siniša Karan, Alen Šeranić, Milan Bukejlović, Petar Đokić, Igor Dodik, Gorica Dodik, Srebrenka Golić, Dragan Stanković, Duško Perović, Dušan Perović, Branislav Okuka, Đorđe Đurić, Vladimir Perišić, Aleksandar Dobrić, Mirko Dobrić, Vlatko Vukotić, Marko Gujaničić, Nemanja Reljin, Džerard Selman, Dalibor Panić, Rajko Kuzmanović, Goran Filipović, Pavle Ćorović, Radmila Bojanić dhe Siniša Dodik”, raporton ky medium.

Sipas Klix, “heqja e sanksioneve është rezultat i marrëveshjes midis SHBA-së dhe Milorad Dodikut, sipas së cilës Dodik duhej të hiqte dorë nga posti i presidentit të Republikës Srpska pas shpalljes së aktgjykimit përfundimtar dhe të emëronte një presidente të përkohshme. Pasi Ana Trišić-Babić u zgjodh dhe ajo pjesë e marrëveshjes u përmbush, Shtetet e Bashkuara po heqin gradualisht sanksionet ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë të Dodikut, proces që pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji”.

Dodik u hoq zyrtarisht si President i Republikës Srpska, para rreth një jave. Në vend të tij, si Ushtruese detyre u emërua Ana Trisiq Babiq.

Vendimi për emërimin e Babiq si ushtruese detyre e presidente e Republikës Srpska është publikuar në Gazetën Zyrtare të këtij entiteti të Bosnjë dhe Hercegovinës më 22 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *