Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka pohuar se NATO do ta “rrafshojë Moskën” nëse Rusia do të sulmojë ndonjëherë Brukselin. Në një intervistë të gjatë, Francken preku një sërë çështjesh strategjike urgjente, duke përfshirë luftën në Ukrainë, mbrojtjen evropiane dhe parandalimin bërthamor, raporton The Brussels Times.
Kur u pyet drejtpërdrejt nëse kishte frikë se Presidenti rus Vladimir Putin mund të niste një sulm me raketa konvencionale në Bruksel, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Jo, sepse atëherë do të godiste zemrën e NATO-s dhe pastaj ne do ta rrafshonim Moskën përtokë.”
Francken shprehu mbështetje të fortë për lidershipin amerikan brenda NATO-s dhe përsëriti besimin e tij në Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë që është themeli i Aleancës.
I pyetur nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump do ta respektonte Nenin 5, Francken u përgjigj pozitivisht. “Sigurisht që do ta bënte. Ka shumë paragjykime në Evropë kundër qeverisë amerikane. Pse të mos e respektonte Nenin 5?”
“Lufta hibride është një kërcënim më i madh”
Francken vuri në dukje se është më i shqetësuar për përdorimin e luftës hibride nga Rusia sesa për kërcënimin e një sulmi konvencional. ”
Ministri i mbrojtjes nuk tregoi entuziazëm për idenë e një ushtrie të përbashkët evropiane. Ai kritikoi vendet më të mëdha evropiane për “maksimizimin e tregjeve të tyre” dhe vuri në dyshim se si vendet që aktualisht nuk mund të bashkëpunojnë as në prokurimin e pajisjeve mbrojtëse mund të integrojnë ushtritë e tyre kombëtare.
“Kushdo që beson në një ushtri evropiane po gënjen”, tha ai. “Për fat të mirë, ne kemi NATO-n, e cila e ka provuar përsëri efektivitetin e saj me mbrojtjen ajrore në Poloni dhe Estoni.”
Ushtria në rrugët e Brukselit
Përveç çështjeve ndërkombëtare, Francken foli edhe për problemet e brendshme, duke pranuar se ka një “marrëdhënie dashurie-urrejtjeje” me Brukselin. Ai mbështeti një thirrje të George-Louis Bouchez, udhëheqësit të Liberalëve Frankofonë (MR), që ushtria të vendoset në rrugët e kryeqytetit belg për të kontrolluar pikat e nxehta të trafikut të drogës.
“Nëse nuk e trajtojmë luftën kundër drogës dhe pasigurisë, kanceri i Brukselit do të përhapet më tej”, paralajmëroi ai. “A kërkon kjo një ushtri në rrugë? Nëse po, atëherë do ta bëjmë”, tha ai.

