Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që urdhëresa për sjellje me detyrim në Gjykatë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të ekzekutohet nga Policia e Kosovës.
Kjo urdhëresë është ende aktive, e konfirmoi përsëri zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Urdhri është lëshuar edhe ndaj Salih Zybës dhe Fitore Pacolli – Dalipit.
Këta akuzohen për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D, për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyres zyrtare nga neni 409 paragrafi të KPRK-së”.
“Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 16.09.2025, të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S. edhe pse ishin ftuar me procesverbalin e seancës së shqyrtimit paraprak, të njëjtit kanë munguar në seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Gjyqtari i kësaj çështje penale Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës me datë 18.09.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike”, deklaroi Gashi për Periskopi.
“Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës, ashtu që tre të pandehurit duhet të sillen në gjykatë me datë 31.10.2025 në ora 10.00”.






