Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka miratuar grupin e parë të raketave që do t’u dorëzohen Forcave të Vetëmbrojtjes të Japonisë për avionët e tyre luftarakë F-35.
“Jam i lumtur të njoftoj se sapo kam miratuar grupin e parë të raketave. Ato janë më të mirat në botë. Askush nuk i ka ato siç i kemi ne. Të gjithë duan raketat tona, ky është problemi”, tha presidenti Trump teksa fliste para ushtarëve amerikanë të stacionuar në Japoni.
”Por është grupi i parë i raketave që do t’u dorëzohet forcave japoneze të vetëmbrojtjes për F-35 të Japonisë, dhe ato do të vijnë këtë javë, kështu që janë përpara afatit”, tha Trump duke iu drejtuar trupave në bordin e aeroplanmbajtëses bërthamore USS George Washington të vendosur në Bazën Detare Yokosuka në Prefekturën Kanagawa të Japonisë.
Edhe kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, u zotua që Japonia do të jetë forcë e paqes në rajonin e Azi-Paqësorit, në takimin e parë me presidentin amerikan.

