• Tue. Oct 28th, 2025

Pezullohet nga detyra prokurori Beqë Shala pasi u arrestua nën dyshimin për ryshfet

Bykfvanews

Oct 28, 2025

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton se në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes të cilit është konfirmuar se është iniciuar hetim penal ndaj të pandehurit Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka vendosur unanimisht që të pezullojë atë përkohësisht nga detyra zyrtare.

Shala është arrestuar në vendin e tij të punës mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas njoftimit, prokurori Shala është pezulluar, deri në një vendim tjetër të Këshillit, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër.

“KPK njofton se ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të paanshmërisë, integritetit dhe efikasitetit të procedurës penale hetimore, si dhe për të garantuar zhvillimin e pandikuar të procedurës si dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) të hënën njoftoi se prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Marrje ryshfeti”.

Përmes një komunikate për medie, PSRK-ja bëri të ditur se gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova materiale.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, thuhej në njoftim.

Prokuroria Speciale njoftoi se brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *