Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka njoftuar se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq dhe Vladimir Toliq, e cila ishte paraparë të mbahej sot, më 27 tetor 2025.
Sipas njoftimit të qjykatës, anulimi është bërë pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës është informuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, konkretisht Gjykata e Shkupit, kanë bërë të ditur se nuk kanë mundësi të realizojnë lidhjen me videokonferencë për këtë datë, për shkak të mosfunksionalitetit të pajisjeve të nevojshme për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special njofton se është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T., pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës është njoftuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit, ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me videokonferencë për 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”, thuhet në njoftimin e qjykatës.
Ndërkaq, gjykata ka bërë të ditur se për caktimin e datave të reja në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht përmes ftesave zyrtare.

