Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, ka fshirë një postim në rrjetet sociale, ku kishte uruar ish-ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliun, për emërimin e tij në krye të Portit të Durrësit nga ministrja Belinda Balluku.
Postimi, që u publikua me tone urimi dhe vlerësimi, u hoq vetëm pak minuta pas publikimit. Në të, Kumbaro e quante lajmin “të gëzueshëm” dhe e shoqëronte me një fotografi të përbashkët me Aliun.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi sesa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik. Si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi me të gjatë kohës kur ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë. Zgjedhje e goditur, Belinda Balluku Urime e me krahë të lehta!”, kishte shkruar Kumbaro në Facebook.” kishte shkruar ajo.

Gjatë ditës mediat në Shqipëri raportuan për emërimin e ish-ministrit Liburn Aliu në krye të postit të Durrësit.
Kjo ende nuk është raportuar zyrtarisht.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me ministren Belinda Balluku për emërimin e Aliut, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.
Liburn Aliu në gusht të këtij viti dha dorëheqje nga Qeveria e Kosovës.

