Seanca e Kuvendit për qeverinë e re është caktuar të mbahet nesër, më 26 tetor nga ora 10:00, ku do të mësohet nëse Albin Kurti do të arrijë të gjejë numrat për ta formuar Qeverinë Kurti 3, apo do të dështojë.
Seanca për votimin e Qeverisë së re është caktuar për të dielën, kur edhe përfundon afati 15 ditor. Seanca do të nis në orën 10:00. Në rend dite është vetëm një pikë: Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kurti sërish ka zgjedhur heshtjen kur është pyetur nëse i ka votat për formimin e Qeverisë.
Ndërsa kryetari i VV-së ka zgjedhur heshtjen, presidentja Vjosa Osmani, ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrijnë të formojë qeverinë ditën e nesërme në mungesë të votave.
Ajo ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.
“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje”, ka thënë Osmani për DW.
Ajo ka bërë me dije se është ende herët të flitet për zgjedhje të parakohshëm.
“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.
Partitë politike, PDK, LDK, AAK e NISMA kanë thënë se nuk do ta votojnë për formimin e qeverisë.
Nëse Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.


