Alarm në Klinë: Gjedhët franceze vdesin njëra pas tjetrës – fermeri ngre dyshime për sëmundje të rrezikshme!

Një fermer nga Gjurgjeviku i Klinës thotë se vetëm brenda tri ditëve të fundit i kanë ngordhur 5 krerë gjedhë qumështorë. Ai po dyshon se gjedhët i janë infektuar përmes 7 të tjerëve që i kishte blerë kohët e fundit, e që thotë se ishin importuar nga Franca përmes një kompanie vendore. AUV-i thotë se i ka marrë mostrat dhe po i pret rezultatet.

Një gjendje shqetësuese është duke ndodhur në fermën e Tahir Berishës nga Gjurgjeviku i Klinës, ku vetëm brenda tri ditëve të fundit i kanë ngordhur 5 krerë gjedhë qumështorë.

Nga gjithsej 21 krerë, fermeri Tahir Berisha thotë se tashmë i kanë ngelur vetëm 14 sosh, ku thotë se shumica prej tyre kanë simptoma të njëjta.

Ky fermer dyshon se gjedhët tjera i janë infektuar përmes 7 të tjerave që i kishte blerë kohët e fundit, e që thotë se ishin importuar nga Franca përmes një kompanie vendore.

“Unë lopët i kam pas të shëndosha 100%, edhe pas dy dite mu ka shfaqë kjo dhe po mendoj edhe ka me dalë se janë ardhur të sëmura dhe ma kanë pru infeksionin. Me ardhjen e tyre mua më ka shpërthyer kjo farë epidemie a është diçka tjetër, nuk kanë dalë rezultatet. Jam në pritje, dje kanë qenë, sot kanë qenë, jam pak i mllefosur se nuk po e di a shkon shpejt a ngadalë, as nuk i kam në dorë, por po më duket se gjendja po keqësohet, familjet na i larguan”, tha Tahir Berisha, pronar.

Berisha thotë se, duke qenë se dëmi i tij kalon shumën prej 20 mijë eurosh, kërkon përkrahje nga institucionet vendore.

“Mua më është bërë dëmi më shumë se 20 mijë euro, edhe 4 tjera janë të sëmura, po shihet edhe këto tjerat janë, se unë i njoh pak a shumë se si hanë ato. Unë jam i dëmtuar tej mase, kështu që kisha kërkuar të më ndihmojë disi qeveria, nga Ministria e Bujqësisë, komuna.”

Për të parë nga afër gjendjen e krijuar, kanë ardhur edhe inspektorët e AUV-it, të cilët i kanë marrë mostrat për analiza të mëtejshme.

Muharrem Shahini, zyrtar në këtë institucion, përmes një përgjigjeje me shkrim tha se mostrat janë dërguar në laboratorin e AUV-it dhe po i presin rezultatet.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…