Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë mund të kenë një ndikim “të rëndësishëm” në ekonominë e saj. Ndërsa sanksionet e mëparshme ndaj kompanisë ruse nënkuptonin vetëm një ulje të të ardhurave për Moskën, masat e vendosura rishtazi nga administrata Trump ndaj dy prej kompanive më të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil, mund të kenë gjithashtu një ndikim më të gjerë në disa vende evropiane, pasi të dyja kanë operacione mjaft të rëndësishme në Evropë. Kështu bën me dije në alaziën e tij, Redaktori përgjegjës për Energjinë pranë Reuters, Dmitry Zhdannikov.
“Ndikimi do të jetë i konsiderueshëm. Nuk ka dyshim për këtë. Nuk është hera e parë që sanksione të kësaj shkalle u janë vendosur kompanive ruse. Pra, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy prej kompanive më të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil. Por sanksione të ngjashme kanë ekzistuar tashmë ndaj kompanive ruse të naftës numër tre dhe numër katër, Gazpromneft dhe Surgut. Këto sanksione nuk i ndaluan rrjedhat e naftës. India dhe Kina ende merrnin naftë ruse. Por ajo që ndodhi është se Rusia duhej të siguronte, të ofronte zbritje më të mëdha kur shiste naftë. Pra, kjo do të thotë më pak të ardhura për Kremlinin. Për më tepër, ajo që po bëhet edhe më komplekse me sanksionet më të fundit ndaj Lukoil dhe Rosneft është se Lukoil ka operacione mjaft të rëndësishme në Evropë. Ka një rafineri në Bullgari, ka një rafineri në Rumani dhe ka pjesë të një rafinerie në Belgjikë. Dhe për më tepër, Lukoil është një furnizues kryesor i naftës bruto për Hungarinë dhe Sllovakinë”, tha Dmitry Zhdanikov, Reuters.
Uashingtoni goditi furnizuesit kryesorë rusë Rosneft dhe Lukoil me sanksione për shkak të luftës në Ukrainë, duke shkaktuar shqetësime për furnizimin më të ngushtë të naftës nga Rusia, furnizuesi kryesor i Kinës dhe Indisë. Kontratat e ardhshme të naftës Brent u rritën me më shumë se 4 përqind të enjten. Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent u rritën me 3.39 dollarë, ose 5.4 përqind, në 65.98 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor të SHBA-së u rritën me 3.31 dollarë, ose 5.7 përqind, në 61.81 dollarë, shkruan A2 CNN.
“Tani nafta po tregtohet me 4% më lart. Kjo tregon qartë se njerëzit janë të shqetësuar për disa ndërprerje të furnizimit. Por sigurisht, shkalla e rritjes është e pakrahasueshme me atë se sa shumë u rritën çmimet në fillim të krizës ukrainase. Ajo që njerëzit kuptojnë është se bota nuk ka mungesë jashtëzakonisht të madhe nafte për momentin. Ka mjaft parashikime se vitin e ardhshëm do të shohim një tepricë në furnizim falë rritjes së prodhimit në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Guajana. Por sigurisht, nëse e hiqni të gjithë naftën ruse nga tregu, që është 10% e furnizimit global, atëherë ndikimi në çmime do të jetë i rëndësishëm. Por nuk mendoj se në atë fazë po flasim ende për ndërprerjen e eksporteve të naftës ruse”, tha Zhdanikov.
“Nuk ka gjasa që (sanksionet ndaj kompanive të energjisë) të ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin e vendit. Megjithatë, ato mund të kenë një efekt negativ indirekt: nëse një kompani fiton më pak, ajo paguan më pak taksa. Në rastin e Rosneft, ku shteti rus është aksionari kryesor, kompania do të paguante gjithashtu dividentë më të ulët. Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të ketë një ndikim rrënjësor as në shtet as në kompani”, tha Igor Yushkov, analist, RNESF.
Sanksionet e SHBA-së nënkuptojnë se rafineritë në Kinë dhe Indi do të duhet të kërkojnë furnizues alternativë për të shmangur përjashtimin nga sistemi bankar perëndimor, sipas analistit të Saxo Bank, Ole Hansen. Por pozicioni i këtyre dy blerësve kryesorë të naftës ruse, është thelbësisht i ndryshëm. Ndërsa India mund të bjerë dakord të ulë blerjet ruse në këmbim të disa lehtësimeve të tarifave nga SHBA-ja, shqetësimet e Kinës bien në një tablo shumë më të gjerë, ku “nafta ruse përfaqëson vetëm një pjesë të parëndësishme të shqetësimit kinez në lidhje me drejtimin e marrëdhënieve kineze me Perëndimin në këtë moment”.
“Mendoj se Trump e bëri shumë të qartë, ai po frustrohet dhe diçka duhet bërë. Ai e di që sanksionet dhe tarifat janë disa nga mjetet më efikase. Ai thjesht ka vendosur t’i përdorë ato përsëri me shpresën se diçka do të arrihet. Dua të them, deri në një farë mase, topi tani është në fushën e Moskës. Dua të them, Moska mund të ketë dy mundësi. E para, Moska mund të vendosë të mos bëjë asgjë. Dhe ta mbajë qëndrimin krejtësisht të pandryshuar, duke shpresuar që Kina dhe veçanërisht Kina do ta financojë Moskën duke blerë pjesën më të madhe të energjisë së saj, ose Moska mund të vendosë që dhimbja po bëhet shumë e madhe dhe pastaj të shkojë drejt një lloj zgjidhjeje”.
“Nuk mendoj se Kina do të ndalojë së bleri naftë ruse. Aktualisht importon më shumë se 2 milionë fuçi në ditë nëpërmjet tubacioneve dhe tankerëve. Pra, pse do të ndalonte Kina? Çfarë mund të ofrojë SHBA-ja si alternativë? Trump është i angazhuar në një betejë tarifash, por ai nuk ka ndikim të rëndësishëm mbi Kinën. Siç mund ta shohim, ai nuk po ushtron shumë presion – ai nuk ka vendosur sanksione ndaj Kinës për blerjen e naftës ruse”, tha Zhdanikov.
“Problemi kryesor për Indinë është një tarifë prej 50% që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Nju Delhit. Dhe kjo po fillon ta dëmtojë ndjeshëm ekonominë indiane. Dhe në këtë drejtim, po fillojmë të dëgjojmë nga tregtarët dhe pjesëmarrësit e tregut se India është e gatshme të ulë blerjet e naftës ruse, të bjerë dakord për një kompromis të caktuar me Shtetet e Bashkuara për tarifat. Është një shkëmbim. India ndoshta nuk do të bjerë dakord të ulë importet e naftës ruse për sa kohë që tarifat e SHBA-së nuk ulen. Por nëse Uashingtoni pranon të ulë tarifat, India ndoshta do të bjerë dakord të ulë blerjet ruse”, tha Igor Yushkov, analist, RNESF.
SHBA-ja tha se ishte e përgatitur të ndërmerrte veprime të mëtejshme, ndërsa i bëri thirrje Moskës të binte dakord menjëherë për një armëpushim në Ukrainë. Vendet e BE-së miratuan gjithashtu një paketë të 19-të sanksionesh ndaj Moskës që përfshinte një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus, ndërsa Britania goditi Rosneft dhe Lukoil me sanksione javën e kaluar.

