Banorët e lagjes “Tuneli i Parë” në Mitrovicë kanë ngritur alarmin për ndotjen e rëndë të lumit Trepça, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet qendrore dhe ndërmarrja Trepça Sh.A.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar Kryeministrit Albin Kurti, Ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, Ministrit të MMPHI-së Hysen Durmishi, si dhe U.D. Kryeshefit Ekzekutiv të Trepça Sh.A, Faton Ahmeti, banorët theksojnë se lumi është mbuluar me baltë industriale, mbetje teknologjike dhe bimësi të dendur, që pengojnë rrjedhën natyrale të ujit dhe rrezikojnë mjedisin dhe shëndetin publik.
Sipas tyre, ndotja po përkeqësohet çdo ditë si pasojë e moskujdesit dhe mungesës së mirëmbajtjes nga menaxhmenti i Trepçës.
Kërkesa e tyre:
Që menjëherë të dalë në terren një komision i përbashkët inspektues nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Trepça Sh.A.
Të ndërmerren masa të menjëhershme për pastrimin dhe rehabilitimin e lumit Trepça, nga segmenti Tunel i Parë ,Rekë,ish Fafosi.
Të kërkohet përgjegjësi nga menaxhmenti për moskujdesin e vazhdueshëm që ka sjellë këtë ndotje.
Situata kërkon reagim të menjëhershëm institucional, para se dëmet të bëhen të pariparueshme.
Pamje nga gjendja e lumit:

