Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, është deklaruar lidhur me komentet e Fatmir Limajt, deputetit të Nismës Socialdemokrate, për kriteret që të kontribuojnë në votimin e Qeverisë.
Basha bëri me dije se Lëvizja Vetëvendosje është në bisedime me Limajn, por që përmendi edhe LDK’në, për çështjen e formimit të Qeverisë. Ai tha se si emër i përveçëm nuk do të shkaktonte ndonjë bllokim të marrëveshjes.
“Unë e di që diskutime ka me subjekte, sidomos mes mandatarit dhe subjekteve të tjera, na e dijmë që Lëvizja Vetëvendosje i pat ofru një bashkëpunim atëherë LDK-së, ka pasur një bashkëpunim me z. Limaj, ato diskutime janë duke vazhdu derisa ne flasim këtu”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
“Unë si kryetar kuvendi jam propozu nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj kam marrë votat e shumicës, kjo për mua është nder, por nuk është që më kanë bërë përshtypje pozitat, por kjo është një përgjegjësi më e madhe. Për deklarimet e personave të ndryshëm unë nuk muj me i komentu, veç duhet me kuptu që unë si deputet ose si Dimal Bashë nuk dal me pengu çfarëdo marrëveshje apo synimi të tjerëve që shkon në dobi të Republikës”, shtoi më tej Basha.
Limaj pati kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Dimal Bashës nga pozita e kryetarit për shkak të qasjes anti-UÇK, si dhe pati kritikuar deputetët e opozitës që e kanë votuar atë.