• Tue. Oct 21st, 2025

Kosova rrezikon të mbetet pa fonde nga Plani i Rritjes i BE’së

Bykfvanews

Oct 21, 2025

Kosova rrezikon humbjen e fondeve të BE-së, për shkak të vonesës në krijimin e institucioneve. Mungesa e institucioneve pengon gjithashtu zbatimin e reformave, duke rritur rrezikun që fondet nga Plani i Rritjes të humbasin deri në vitin 2027.

Zvarritja e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë së re, Kosovës mund t’i kushtojë me humbjen e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paralajmërojnë njohësit e integrimeve evropiane.

Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Për të përfituar nga këto fonde, vendet duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, që përfshijnë sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.

Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, prej të cilave mbi 250 milionë si grant pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie me kushte të favorshme.

Megjithatë, vendi nuk e ka përfituar pjesën e para-financimit – prej 61 milionë eurosh – që tashmë u është ndarë Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Këtyre vendeve u janë ndarë edhe mjete të reja javën e kaluar.

Jashtë përfitimeve mbetet edhe Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e ka miratuar në kohë agjendën e reformave dhe Planin e Rritjes.

Kosova ishte ndër të parat që miratoi agjendën e reformave, por fondet mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve që ta ratifikojnë marrëveshjen formale me BE-në.

“Kjo dërgon një sinjal negativ në Bruksel, ku frustrimi i institucioneve dhe shteteve anëtare po vazhdon të rritet, për shkak të sjelljes së elitës politike kosovare”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), për Radion Evropa e Lirë.

Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar më 10 tetor, por, ndërkohë, procesi u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe.

Vendi, po ashtu, mbetet ende me Qeveri në detyrë, edhe pse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë mandatin për formimin e ekzekutivit të ri.

Fondet e BE-së për Kosovën “mund të rishpërndahen”

Sipas Bekim Salihut, nga Instituti për Hulumtime të Avancuara – GAP, vonesat në konstituimin e institucioneve bllokojnë jo vetëm fondet, por edhe zbatimin e reformave.

“Pamundësia e Kosovës për t’i marrë fondet, duhet të përkthehet si pamundësi e Kosovës për t’i bërë reformat. Reformat natyrisht që mund të bëhen në një periudhë të caktuar, por po shihet se dinamika e tyre do të jetë e vonshme, e ngadalshme”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë është edhe Donika Emini.

Ajo shpjegon se mosmarrja e fondeve nga Plani i Rritjes nuk do të thotë se paratë e dedikuara për Kosovën do të humbasin automatikisht. Megjithatë, nëse Kosova dështon t’i tërheqë dhe t’i përdorë këto fonde gjatë gjithë periudhës së programit, rreziku i humbjes është shumë i lartë.

Sipas Eminit, për shkak të vonesave në miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi dhe mungesës së një Qeverie me mandat të plotë, zbatimi i planit të reformave në Kosovë do të nisë shumë më vonë se në disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“… dhe kjo e penalizon shumë. Vendi duhet të fitojë qasje në fonde duke implementuar reformat e agjendës që është aprovuar nga BE-ja. Pra, këto janë fonde për të cilat duhet punuar dhe zbatuar reforma specifike. Kosova tashmë ka humbur shumë kohë”, thotë Emini.

Në vazhdën e kësaj, ajo paralajmëron se mungesa e reformave mund t’i bllokojë pagesat e BE-së, duke lënë shuma të mëdha të papërdorura deri në vitin 2027.

“… dhe nëse në fund të periudhës programore fondet nuk janë përdorur ose kushtet nuk janë përmbushur, BE-ja mund t’i rishpërndajë ato [fonde] te vendet ose projektet që kanë përmbushur kushtet më shpejt”, thotë Emini.

Komisioni Evropian njoftoi në prill të vitit 2024 se nëse partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin kushtet, pagesat mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht.

Komisioni Evropian sqaroi, gjithashtu, se pas një pezullimi të tillë dhe “në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti [ose dy vjetësh nga viti i parë i zbatimit], shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet pasuese”.

Raportet Kosovë-BE “në nivelin më të ulët”

Vonesat e Kosovës në formimin e legjislativit dhe ekzekutivit të ri, që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt e deri më tash, kanë bërë që situata të vështirësohet edhe në aspektin e komunikimit zyrtar të institucioneve të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në muajin gusht, zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Emini thekson se ky është një mesazh shqetësues në adresë të autoriteteve të Kosovës lidhur me mungesën e institucioneve funksionale.

“Ka humbur kanali i komunikimit dhe koordinimit me BE-në për reformat, si dhe marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe BE-së”, thotë ajo.

Këto marrëdhënie, Salihu i sheh në nivelin më të ulët në dekadën e fundit.

Sipas tij, në mungesë të një qeverie me mandat të plotë dhe të një kuvendi të pakontestuar ligjërisht, Kosova e ka të vështirë të komunikojë me BE-në për raportet e ndërsjella dhe proceset integruese.

“Ju e shihni, nuk përmendet më mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk përmendet më mundësia e heqjes së masave [ndëshkuese] ndaj Kosovës. Raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian konsideroj që janë më të ulëtat në këta 10 vjetët e fundit, pas nënshkrimit të MSA-së [Marrëveshjes për Stabilizim- Asociim]”, thotë Salihu.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshill të Evropës në vitin 2024.

Vendi vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së, të cilat u vendosën në qershor të vitit 2023, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se zvarritja edhe më tej e formimit të institucioneve të reja “e mirëmban” hendekun në raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Sipas tyre, ai mund të thellohet edhe më tej, në rast se vendi eventualisht shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive politike për formimin e institucioneve të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *