Rreth 60 hetues nga brigada anti-krim në Paris dhe Zyra Qendrore për Luftën kundër Trafikimit të Pasurisë Kulturore janë mobilizuar. Por lehtësia me të cilën grupi prej katër banditësh ia doli t’ia mbathte me bizhuteritë, hipur mbi dy monopatina ditën e diel, e bën situatën thuajse të pashpresë.
Sipas Il Corriere della Sera, firma izraelite e inteligjencës, CGI Group në Tel Aviv, tha se është thirrur nga Luvri për të marrë pjesë në hetim, pas suksesit të zgjidhjes së një çështjeje të vjedhjes së një miliard eurove në vitin 2019 në Dresden, por drejtuesit e muzeut e mohuan shpejt dhe kategorikisht.
Kush mund të jetë pas grabitjes së shekullit? “Gjithë hipotezat janë të mundshme”, thotë prokurori i Parisit, Laure Beccuau. “Vjedhja mund të jetë kërkuar nga ndonjë koleksionist, rast në të cilin kemi shpresë t’i gjejmë bizhuteritë në gjendje të mirë, ose nga hajdutë që iu interesojnë vetëm bizhuteritë dhe metalet e çmuara, ndoshta për të pastruar para të aktivitetit kriminal.
Çdo gjë mund të lidhet me trafikimin e drogës, duke marrë parasysh shumat e mëdha të parave”, shton prokurori, i cili nuk përjashton “ndërhyrjen e huaj”, edhe pse s’është hipoteza e parapëlqyer. Edhe të hënën, Luvri qëndroi i mbyllur që hetuesit të vazhdonin hetimet dhe të merrnin në pyetje punonjësit për të zbuluar nëse banditët kanë pasur një bashkëpunëtor të brendshëm.
Disa dëshmitarë i dëgjuan grabitësit të flisnin në gjuhë të huaj duke nxitur idenë e përfshirjes së “Panterave Rozë”, grupit famëkeq ish-jugosllav që përbëhej nga ish-ushtarakë nga Serbia dhe Mali i Zi. Ata kanë bërë kërdinë në Europë që në vitet ’90 dhe e morën emrin nga Interpoli pas një vjedhjeje në vitin 2003 në Londër, kur u gjet një diamant i fshehur brenda një kavanozi me krem, njësoj si në filmin e famshëm me inspektorin Clouseau.
Vjedhjet e Panterave Rozë karakterizohen nga shpejtësia, pak ose aspak dhunë të drejtpërdrejtë dhe shënjestron sende që konsiderohen të pamundura, si Luvri. Bizhuteritë çmontohen dhe shpërndahen jashtë kufijve.
Panterat Rozë konsiderohen një rrjet i madh kriminal me qindra anëtarë dhe dyshohen autorë të dhjetëra vjedhjeve, përfshirë Francën: dy herë në dyqanin Harry Winston në Avenue Montaigne në Paris (2007, 36 milionë dollarë, 2008, 73 milionë dollarë), Hotel Carlton në Kanë në vitin 2013 (53 milionë dollarë), argjendaria Chaumet në qershor 2021 (2 milionë euro). Bizhuteritë nuk janë gjetur kurrë.