• Tue. Oct 21st, 2025

“Bloomberg”: Evropa dhe Ukraina po përgatisin propozim 12-pikësh për fundin e luftës

Bykfvanews

Oct 21, 2025

Vendet evropiane janë duke punuar bashkë me Ukrainën në një propozim me 12 pika për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në pikat aktuale të vijës së frontit, duke iu kundërvënë kërkesave të përtërira të presidentit rus, Vladimir Putin, ndaj Shteteve të Bashkuara që Kievi të dorëzojë territor në këmbim të një marrëveshjeje të paqes.

Një bord i paqes, i drejtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta mbikëqyrte zbatimin e planit të propozuar, sipas personave të afërt me çështjen, raporton mediumi “Bloomberg”.

Porsa Rusia ta pasojë Ukrainën në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe të dyja palët të zotohen për ndërprerjen e avancimeve territoriale, propozimi i parasheh kthimin e të gjithë fëmijëve të dëbuar në Ukrainë dhe shkëmbim të të burgosurve. Ukraina do të merrte garanci të sigurisë, fonde për t’i riparuar dëmet e luftës dhe do t’i ofrohej një rrugë për t’u anëtarësuar shpejt në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, sanksionet ndaj Rusisë do të hiqeshin gradualisht, edhe pse rreth 300 miliardë dollarë nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore do të ktheheshin vetëm nëse Moska pajtohet për të kontribuuar në rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Kufizimet do të riktheheshin, nëse Rusia do ta sulmonte përsëri vendin fqinj.

Moska dhe Kievi do të fillonin bisedime për qeverisjen e territoreve të pushtuara, edhe pse as Evropa, as Ukraina nuk do t’i njihnin si ligjërisht si pjesë të Rusisë ato zona, thanë personat e afërt me çështjen.

Rusia deri më tani i ka refuzuar thirrjet për t’u dhënë fund luftimeve në vijën aktuale të frontit pavarësisht se ka pësuar shumë në ushtarë në konfliktin që tashmë është në vitin e tij të katërt.

Hollësitë e planit janë duke u finalizuar dhe mund të ndryshojnë, paralajmëruan burimet, duke kërkuar që të mbeteshin anonime. Çfarëdo propozimi gjithashtu do të kishte nevojë për përfshirjen e ShBA-së dhe zyrtarë evropianë mund të udhëtojnë atje këtë javë, thanë këto burime.

Plani i ngjan thirrjes së presidentit Trump javën e kaluar që konflikti të ngrihet menjëherë në vijën aktuale të frontit para fillimit të bisedimeve.

Pas një telefonate me Putinin dhe pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti amerikan tha se Rusia dhe Ukraina duhet “të ndalen aty ku janë”.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, të hënën zhvilloi bisedë telefonike me homologun rus, Sergei Lavrov, por palët dështuan që të arrinin marrëveshje për t’u takuar që të përgatiteshin për një samit të mundshëm mes Trumpit e Putinit.

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se e “përkrahin fuqishëm” ndaljen e menjëhershme të luftës së Rusisë në Ukrainë në pozicionet aktuale për ta lejuar fillimin e bisedimeve të paqes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *