Statuti i LDK-së ndalon koalicione të paautorizuara, masa disiplinore deri në përjashtim për ata që veprojnë kundër vendimeve të partisë

Sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), çdo anëtar që vepron kundër Programit, Statutit, vendimeve apo qëndrimeve të organeve të partisë, mund të përballet me masa disiplinore, përfshirë edhe largimin nga partia, ashtu siç bëri sot Xhafer Tahiri i Vushtrrisë kur lidhi marrëveshje me Vetëvendosjen në Vushtrri për balotazhin e 9 nëntorit.

Në Nenin 13 të Statutit thuhet se ndaj çdo anëtari që me veprimet apo sjelljet e tij dëmton interesat e LDK-së, mund të shqiptohen masa disiplinore, ndërsa zhvillimin e procedurës e bën Komisioni Disiplinor, i caktuar nga Kryesia e partisë, shkruan KFVA.

Ndërsa Neni 14 përcakton qartë se largimi nga LDK mund të ndodhë në rastet kur anëtari: abuzon me vlerat dhe objektivat themelore të partisë; vepron kundër kandidatëve të LDK-së në zgjedhje ose mbështet subjekte të tjera politike apo kandidatët e tyre.

Po ashtu, statuti ndalon që anëtarët të mbajnë pozita brenda organeve të LDK-së nëse publikisht refuzojnë ose mohojnë vendimet e forumeve ku bëjnë pjesë.

Vendimin për masën disiplinore e merr Komisioni Disiplinor, ndërsa ankesa mund të bëhet në Këshillin e Përgjithshëm, vendimi i të cilit është përfundimtar.

Këto dispozita statutare bëhen veçanërisht të rëndësishme pas zhvillimeve në Vushtrri, ku kandidati i LDK-së ka nënshkruar një marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje pa miratim nga strukturat qendrore të partisë.

Në një komunikatë për media, LDK sqaroi se “nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë”, duke theksuar se veprimet e kandidatit janë “individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Partia njoftoi se pas përfundimit të garës lokale do të analizojë performancën e kandidatit dhe të Degës së Vushtrrisë, dhe më pas do të marrë vendimet përkatëse sipas Statutit.

“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale,” thuhet në komunikatë.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FLDKzyrtare%2Fposts%2Fpfbid02FNADBPt1ixMpUDcxQHHB2mbqLSXkfK7B5zPfj8Xb9jiP7a1krdEbsJj9BcCqYxFpl&show_text=true&width=500

  • Shkrime të ngjashme

    Kurti, Hamza e Abdixhiku dalin me vota minus nga rinumërimi – një kandidat i VV’së 228 vota më pak

    Në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave, që erdhi pas mospërputhjeve gjatë verifikimit të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas KQZ’së, nga rinumërimi dikush ka dalë mbi 220 vota më pak. Sipas rezultateve nga 227 vendvotimet e…

    “Pezullim i përkohshëm”, ambasada amerikane flet pas vendimit për vizat imigruese

    Departamenti amerikan i Shtetit të mërkurën dha lajmin se ka marrë vendim për pezullimin e përpunimit të vizave të imigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Ambasada amerikane ka dhënë shpjegime. Pas publikimit nga presidenti amerikan, Donald Trump,…