• Mon. Oct 20th, 2025

Më pak ulëse sivjet, si përcaktohet numri i Asamblistëve nëpër Kuvendet Komunale

Bykfvanews

Oct 20, 2025

Më 12 tetor në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në të gjitha komunat e vendit do të ketë gjithsej 942 ulëse në kuvendet komunale.

Numri i anëtarëve të kuvendeve komunale përcaktohet në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, 2017 dhe 2021 numri i ulëseve ka qenë 1, 002.

Në Deçan Kuvendi Komunal do të ketë 21 ulëse, në Gjakovë 35, Drenas 27, Dragash 21, Istog 27, Kaçanik 21, Klinë 27, Fushë Kosovë 31, Kamenicë 21, Mitrovicë e Jugut 31, Mitrovicë e Veriut 15, Obiliq 21, Rahovec 27, Pejë 35, Podujevë 35, Prishtinë 51, Prizren 41, Skenderaj 27, Shtimë 21, Shtërpcë 19, Suharekë 21, Ferizaj 41, Viti 27, Vushtrri 31, Zubin Potok 15, Zveçan 15, Malishevë 27, Junik 15, Mamushë 15, Hani i Elezit 15, Graçanicë 15, Ranillug 15, Partesh 15 dhe në Kllokot 15 ulëse.

Sipas nenit 36, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, numri i anëtarëve në kuvendin e një komune përcaktohet në mënyrë proporcionale, varësisht nga numri i banorëve të saj. Përjashtim bën vetëm Komuna e Prishtinës, e cila, sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, përbëhet nga 51 anëtarë.

Përkatësisht: Deri në 10.000 banorë – 15 anëtarë; 10.001–20.000 banorë – 19 anëtarë; 20.001–30.000 banorë – 21 anëtarë; 30.001–50.000 banorë – 27 anëtarë; 50.001–70.000 banorë – 31 anëtarë; 70.001–100.000 banorë – 35 anëtarë dhe mbi 100.000 banorë – 41 anëtarë.

KQZ njoftoi se kanë përfunduar aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndërkaq, për ditën e tretë me radhë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave me postë.

Aktualisht po vazhdon numërimi dhe verifikimi i votave nga jashtë.

Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës votuan përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Sipas KQZ-së, ishin 33.841 pako me fletëvotime të supozuara dhe pas verifikimit, 29.636 u aprovuan. Numërimi i këtyre votave ka nisur më 17 tetor.

Pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, do të numërohen edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta dhe më pas KQZ-ja do të shpallë rezultatin për rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Rundi i dytë pritet të mbahet më 9 nëntor. Sipas rezultateve preliminare, 21 komuna kanë zgjedhur në rundin e parë kryetarët e komunave, ndërkaq në 17 të tjera pritet të organizohet rundi i balotazhit. Në ditën e zgjedhjeve votuan 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *